Ambasadori Ramadan Gashi në Senegal - Foto: 21Media

Diplomacia e Kosovës Shtrihet Edhe në Kontinentin Afrikan

Ambasadori i Kosovës, Ramadan Gashi, i ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit të Senegalit, Macky Sall, duke u bërë ambasadori i parë i akredituar dhe rezident i Kosovës në këtë shtet.

Sipas një komunikate për medie, në kuadër të kësaj ceremonie, ambasadori Gashi ka falënderuar presidentin senegalez për pritjen në shtetin e tij, duke shprehur më pas përkushtimin dhe vullnetin e institucioneve të Kosovës për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

“Është privilegj që e përfaqësoj shtetin e Kosovës, në një vend me bukuri të jashtëzakonshme, por, para së gjithash, në vendin e paraardhësit Tuaj dhe themeluesit të shtetit të Senegalit, Presidentit, Léopold Sédar Senghor, me të cilin vendi i Juaj Z. President, por, edhe bota mburret me të. Personalisht, mburrem që kam pasur rastin ta takoj, në Bruksel, dy herë radhazi gjatë vitit 1988, për t’i folur që në atë kohë për Kosovën, e cila pësonte okupimin dhe terrorin e regjimit komunist jugosllav dhe serb të asaj kohe”, ka thënë ambasadori Gashi.

Në vazhdim të takimit, ambasadori Gashi gjithashtu e falënderoi presidentin Sall për gatishmërinë e Senegalit për njohjen e shtetit të Kosovës që në ditët e para pas shpalljes së Pavarësisë.

Tutje, ambasadori Gashi e ka njoftuar presidentin senegalez edhe mbi ecurinë e historikut të Kosovës, ndërkohë që është diskutuar edhe mbi mbarëvajtjen e procesit të njohjeve dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës, duke përfshirë procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. /21Media