Gjykimi për vrasjen e policit Shemsi Gashi - Foto: KALLXO.com

Një gjykatëse dhe një avokat dëshmojnë në gjyqin për vrasjen e policit

Në gjykimin për vrasjen e rreshterit të Policisë, Shemsi Gashi, rast ky i cili është kthyer në rigjykim, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar një gjykatëse dhe një avokat.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Gashit, avokati Tahir Rrecaj, kishte propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen gjykatësja Makifete Saliuka si dhe avokati Ragip Zeneli.

Këta dy dëshmitarë janë ftuar të dëshmojnë në lidhje me një proces tjetër gjyqësor që ka pasur të bëjë me një kontest pronësor në mes të të akuzuarit Ramadan Gashi si dhe tanimë të ndjerit Shemsi Gashi.

“A ju kujtohet se e keni gjykuar një rast të një kontesti pronësor, ku palë paditëse ka qenë Shemsi Gashi dhe trashëgimtar të tjerë, kundër të paditurit Ramadan Gashi?”, e pyeti dëshmitaren Saliuka avokati Tahir Rrecaj.

“Për mua është shumë e pakuptimtë që më keni ftuar si dëshmitare, nisur prej faktit se unë kam gjykuar me mijëra raste. Unë këto palë as si fytyra nuk mund t’i mbaj në mend e le më me emra. Përveç asaj unë as nuk jam gjyqtarja që e kam shqyrtuar rastin, unë vetëm kam filluar me shqyrtimin e këtij rasti”, tha dëshmitarja Makifete Saliuka.

“Deklaruat se ju e keni filluar procesin gjyqësor dhe të dyja palët kanë qenë korrekte. A mbani në mend se me aq sa ju keni udhëhequr me ketë rast të ketë ndodhur ndonjë kërcënim në mes palëve?”, e pyeti më tej avokati, dëshmitaren, në lidhje me çka dëshmitarja u përgjigj shkurt: “Absolutisht jo”.

Të ketë pasur ndonjë konflikt verbal apo kërcënim në mes të palëve ndërgjyqësore përgjatë zhvillimit të këtij kontesti pronësor e mohoi edhe dëshmitari Ragip Zeneli, i cili në cilësi të avokatit në atë proces gjyqësor e kishte përfaqësuar Ramadan Gashin.

“Në prezencën time për këto tre seanca asnjëherë kurrfarë fyerje a mosmarrëveshje ndërmjet palëve ndërgjyqësore nuk ka pasur”, deklaroi dëshmitari Zeneli.

Pas dëgjimit të këtyre dy dëshmitarëve, seanca gjyqësore vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga ana e të akuzuarve.

Pasi që të gjithë të akuzuarit deklaruan se qëndrojnë në tërësi pranë deklaratave të tyre të dhëna gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor, kundrejt tyre nuk pati pyetje shtesë.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 29 nëntor me ç’rast pritet të jepet fjala përfundimtare.

Në korrik të këtij viti, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë rast në rigjykim.

Sipas Gjykatës së Apelit, në aktgjykimin e Gjykatës Themelore ka kundërthënie ndërmjet asaj që thuhet në aktgjykim si dhe deklaratave të dhëna nga dëshmitarët.

Gjykata Themelore në Prishtinë u kishte shqiptuar 58 vjet burg shtatë të akuzuarve për vrasjen e rreshterit policor Shemsi Gashi ndërsa njërin nga të akuzuarit Agron Gashin e kishte shpallur të pafajshëm, raporton KALLXO.com.

58 Vjet Burg për Vrasjen e Policit Shemsi Gashi

Eprori policor i krimeve ekonomike Shemsi Gashi ishte vrarë më 25 mars 2015 në lagjen “Mati” të Prishtinës, ndërsa për vrasjen e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzoi tetë persona.

Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

Në aktakuzë bëhet e ditur se për vrasjen e Gashit, Vesel Gjinovcit e Kujtim Bejiqit u ishin premtuar 5 mijë euro.

Aktakuza zbulon se shtëpia e Gashit ishte sulmuar me armë një muaj para vrasjes së tij, por rreshteri nuk e kishte lajmëruar sulmin në polici, ngase dëshironte që problemet private t’i mbante larg detyrës zyrtare.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor Vesel Gjinovci e ka pranuar fajësinë por Gjykata nuk e ka pranuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

Vesel Gjinovci i Penduar, Tregon Planin për Vrasjen e Policit Shemsi Gashi

www.kallxo.com