Dënohet babai që i siguroi djalit të tij dokument të falsifikuar për t'u bërë veteran

Ramadan Gashi, veteran luftëtar, doli sot para gjykatës se Pejës për t’u ballafaquar me aktakuzën e prokurorisë së Pejës se kishte siguruar dokument të falsifikuar me qëllim që djali i tij të përfitojë pagën e statusit të veteranit luftëtar.

Sipas aktakuzës, djali i të akuzuarit kundërligjshëm ka përfituar shumën prej 340 euro në emër të statusit të veteranit luftëtar të UÇK-së.

Për këto veprime i akuzuari u dënua me burgim prej 6 muajve dhe dënim plotësues për kompensim dëmi.

Dënimi prej 6 muajve nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 1 viti nuk kryen vepër të re penale.

Dosja e prokurorisë përmban të dhëna se i akuzuari ka paguar shumën prej 100 euro për të siguruar dokument të falsifikuar.

“Kam shkuar të zyra në Pejë dhe aty kam hasur në një zyrtar me emrin Caki, ku ky i fundit me tha se a ki nevojë me të ndihmuar, ai me tha se unë ia siguroj vërtetimin dhe për këtë kam dhënë shumën prej 100 eurove”, ka deklaruar në prokurori i akuzuari Gashi.

Sot në seance gjyqësore para leximit të aktakuzës, prokurorja Lumturije Vuçetaj bëri plotësimin e aktakuzës dhe atë duke propozuar që ndaj të akuzuarit të bëhet shqiptimi i dënimeve plotësuese, urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit si dhe urdhri për publikimin e aktgjykimit.

I akuzuari paraprakisht ka pranuar fajësinë për këto veprime.