Dëshmitarja Qan në Gjykimin për Mashtrim

Në këtë seancë dëshminë e vazhdoi Millka Simianoviq dhe më pas edhe halla e saj Smiljana Markoviq.

Dëshmitarja Simianoviq qau në gjykatë në momentin kur tregoi se ishte e kërcënuar me vrasje nga i akuzuari.

Ajo po ashtu tha se është ndihet e mashtruar deri në dhimbje për tërë jetën, ende nuk është shëruar dhe më askujt nuk do t’i besojë.

Rasim Llugiqi akuzohet për mashtrim, pasi me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes së 15.56 ari me Millka Simianoviqin si përfaqësuese e të dëmturve, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurove, me arsyetimin të tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000.00 euro.

pasi të dëmtuarit e këtij procesi pretendojnë se u morën vesh për t’ia shitur atij pronën prej 15 arësh e 56 metrash në vlerën e 466 mijë eurove, ndërsa në kontratën e shitblerjes shkruan se kjo pronë u shit për 180 mijë euro.

http://kallxo.com/deshmojne-te-demtuarit-nga-shitja-nen-vlere-e-prones/

Dëshmitarja duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores tha se i akuzuari i ka shkaktuar frikë të madhe, sa që ajo edhe tash dridhet kur e kujton momentin e kërcënimit nga Llugiqi.

Simianoviq deklaroi para gjykatës se nuk e ka lexuar nga frika kontratën edhe pse tha se referenti ia ka tërhequr vërejtjen që ta lexojë.

Ajo bëri të ditur se i ka besuar hallës së saj, e cila i kishte thënë se kjo është vetëm formale dhe se ajo është garant për këtë.

Anëtarë të familjes Simianoviq pretendojnë që kontrata në shumën prej 180 mijë eurove është përpiluar për t’i ikur pagesës së tatimit në vlerë të madhe.

Dëshmitarja tha se ka shkuar në disa filiale të bankës për të bërë transaksione dhe ka nënshkruar disa dëftesa, pasi që kështu i ka thënë i akuzuari. Ajo tha se po të dinte se të hollat nuk do të mbesin në xhirollogarinë e saj nuk do t’i nënshkruante ato dëftesa.

Dëshmitarja tregoi se e ka kuptuar të nesërmen se është mashtruar dhe se halla i ka thënë merri këto para se e tërë pasuria ime vlen vetëm 30 mijë euro.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit se në cilat data keni qenë mysafire e Rasim Llugiqit, dëshmitarja deklaroi se më 6 dhe 12 maj 2009 kemi bujtur në shtëpinë e Rasimit, ndërsa me datën 13 maj 2009 isha shumë e nervozuar.

Dëshmitare e radhës ishte Smiliana Markoviq, e cila para gjyqtarit tha se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhënë më parë.

Në pyetjen e mbrojtësit Fehmi Shala se Millka Simianoviq çfarë çmimi të shitjes ka dhënë për truallin, dëshmitarja u përgjigj se ajo ka thënë se truallin e shet për 35 mijë euro, por mund ta japë edhe për 30 mijë euro.

Dëshmitarja tha se unë e kam pyetur se a je ti normal, a do ta shesësh krejt truallin për atë shumë, ajo më është përgjigjur se po.

Mbrojtësi Shala e pyeti dëshmitaren Markoviq se pas arritjes së marrëveshjes për shitjen e kësaj pasurie a keni qenë së bashku me Millkën me bujt në shtëpinë e Rasimit? Dëshmitarja u përgjigj se po, 5 herë kemi bujtur në shtëpinë e Rasimit dhe se Millka Simianoviq ka marrë edhe valixhen me vete.

Avokati Shala e pyeti dëshmitaren se gjatë kohës sa është lidhur marrëveshja e shitblerjes dhe sa është bërë pagesa e kësaj shitblerjeje, a keni qenë në shoqëri me Millkën dhe a keni vërejtur ndonjë shqetësim kur ka dalë prej banke?

Dëshmitarja Markoviq tha se Millka ka qenë e kënaqur dhe ka thënë shyqyr zotit dhe i ka ngritur duart lartë që të falënderoj zotit dhe nuk më ka treguar se sa para i ka tërhequr.

Dëshmitarja tregoi se Millka Simianoviq e di shumë mirë gjuhën shqipe dhe se tërë kohën kanë biseduar me Rasimin në shqip.

Seanca është shtyrë me kërkesën e prokurores, pasi që ajo tha se nuk e ka një procesverbal dhe se për këtë seancë nuk është e përgatitur t’i parashtrojë pyetje dëshmitares.

Seanca është shtyrë për datën 26 shkurt 2016.

I akuzuari Llugiqi ishte dënuar nga gjykata në Lipjan me një vit burg për mashtrim. Këtë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit por në rigjykim dënimin e Llugiqit e kishte kthyer Gjykata Supreme  që kishte sjellë aktvendimin sipas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë  nga avokati i të akuzuarit.

Ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë me të cilën të  akuzuarin Rasim Llugiqi e ngarkonte se ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, i akuzuari Rasim Llugiqi më 12 .maj 2009 në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së saj të dëmtuarën Millka Simianoviq.