Dëshmitarja Përlotet në Gjykimin për Vrasjen e Drejtorit

Për vrasjen e Salihut që ndodhi më 3 tetor 2011, po akuzohet Gani Sahiti.

Fatlinda Zuka, sekretarja e drejtorit të vrarë që dëshmoi në seancën e sotme, përshkroi ditën kur ndodhi kjo vrasje.

“Ganiu si çdoherë ka ardhur dhe ka kërkuar me u taku me drejtorin, edhe atë ditë ka ardhur kah ora 10:00 dhe ka kërkuar me u taku, mirëpo drejtori, tani i ndjeri, ishte i zanun me punë dhe unë isha me disa palë. Pasi ky është ulur me prit unë kam dalë me i përcjellë disa palë dhe kam shkuar në zyrën e një kolegeje. Atëherë pas 5 minutave kemi dëgjuar krismat,” deklaroi dëshmitarja Fatlinda Zuka.

Dëshmitarja e përlotur tregoi edhe momentin kur kishte hyrë në zyrën e drejtorit dhe e kishte parë atë të ulur në karrige duke vdekur, ndërsa të akuzuarin me armë në dorë.

Gani Sahiti kishte konkurruar për drejtor në shkollën fillore të fshatit Dabishevc të Komunës së Prishtinës, por nuk ishte pranuar.

Në seancën e sotme dëshmoi edhe drejtori i kësaj shkolle Hamdi Hyseni. Ai e pranoi se për pozitën e drejtorit në këtë shkollë kishin konkurruar edhe persona më të përgatitur profesionalisht se ai.

“Në shkollën ku unë jam drejtor, në kolektiv ka më të përgatitur se unë në aspektin profesional, po ashtu edhe në vitin 2011 ka pasur të përgatitur siç është rasti i Ganiut dhe për ata ky dhe disa të tjerë kanë konkurruar për pozitën e drejtorit,” deklaroi dëshmitari.

Drejtori i shkollës së Dabishevcit e pranoi se në këtë shkollë janë të punësuar djali i tij dhe dy kushërinj.

Gani Sahiti akuzohet nga ish – Prokuroria e Qarkut tash Prokuroria Themelore se më 3 tetor 2011 në vendin e punës  në mënyrë dinake dhe të paskrupullt privoi nga jeta Remzi Salihun, atëkohë drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Gani Sahiti punonte si arsimtar në shkollën fillore të fshatit Dabishevc të Prishtinës.