Agim Bahtiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bahtiri: E shkarkova drejtorin e Arsimit sepse bëri diskriminim në baza fetare

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka dhënë sqarime se pse e ka larguar nga pozita e drejtorit të Arsimit Ismet Ferizin.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se e ka larguar atë për shkak të një deklarate që Ferizi e ka bërë në një takim me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, që sipas tij ka bërë diskriminim në baza fetare.

“Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Ismet Ferizi, e kam liruar nga detyra për shkak se ai takim zyrtar në Ministrinë e Arsimit me ministren, Arbërie Nagavci, ka thënë: “Sa të jem unë drejtor, askush me shami nuk do të punësohet në arsim”. Pas këtij deklarimi skandaloz të njëjtin e kam larguar nga takimi”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ky diskriminim në baza fetare ka qenë i papranueshëm dhe i patolerueshëm.

“Për pasojë më është dashur të marrë veprimin e lirimit nga detyra, pasi që ai nuk ka reflektuar në qëndrimin e tij edhe pas këtij takimi.  Përndryshe, Drejtori i Arsimit nuk ka asnjë kompetencë dhe përgjegjësi për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave, pasi që përzgjedhjen e tyre e bën komisioni i formuar nga Kuvendi i Komunës”, ka shtuar më tej Bahtiri.

“Ndryshe, sot kam miratuar përzgjedhjen e drejtorëve të rinj, të cilët janë rekomanduar nga komisioni. Kjo dëshmon se pretendimet për ndërhyrje në këtë proces nga unë, kanë qenë shpifje ndaj meje si kryetar komune.  Suksese drejtorëve të rinj të shkollave në punën e tyre”, ka shtuar në fund Bahtiri.

KALLXO.com kishte raportuar ditë më parë se procesi i përzgjedhjes së drejtorëve në disa shkolla në komunën e Mitrovicës së Jugut është bërë mollë sherri ndërmjet të parit të kësaj Komune Agim Bahtirit dhe drejtorit të Arsimit Ismet Ferizi.

Ferizi kishte thënë se nuk ishte shkarkuar, derisa Bahtiri insistonte që e ka shkarkuar.

Drejtori i Arsimit në Mitrovicë, mohon të jetë shkarkuar nga Agim Bahtiri

.