Gjykimi i ish-zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Te Ferdije Zhushi Asgjë s’ka Çuar Peshë pos Korrupsionit

Suad Berisha, pronari i kolegjit “Universum” që dëshmoi në gjykimin e Ferdije Zhushit dhe Basri e Armend Mujës, tregoi se i janë kërkuar para për akreditimin e programeve.

Berisha deklaroi në gjykatë se në vitet 2010 dhe 2011 këtij kolegji nuk i ishte akredituar asnjë program nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

“Në vitin 2010 dhe në vazhdim të vitit 2011 nuk ka pasur të akredituar asnjë program, gjithashtu për të njëjtin qëllim për dëmtim të qëllimshëm”, tha Berisha.

Bajram Tmava, avokati i Basri Mujës e pyeti dëshmitarin nëse kishte marrë ndonjë arsyetim për mosakreditim të programeve.

“Nëse në vendimin zyrtar ka arsyetim për refuzim të akreditimit unë do ta kisha treguar atë arsye, por ne asnjëherë nuk kemi marrë ndonjë arsyetim”, tha Berisha.

Dëshmitari tregoi se Basri Muja e Ferdije Zhushi, dy ish-zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Akreditim paratë ia kishin kërkuar nëpërmjet Armend Mujës, të akuzuarit tjetër të këtij procesi.

Bajram Tmava, avokati i Basri Mujës kërkoi të dijë nga dëshmitari Berisha, nëse i mbrojturi i tij direkt i kishte kërkuar para për akreditim të programeve të Kolegjit “Universum”.

“Kërkim të drejtpërdrejtë nuk me ka bë, por me ka bërë shenja, më ka thënë se për me mund me u bë akreditimi duhet me lëvizë”, deklaroi dëshmitari.

Të njëjtën pyetje për të mbrojturën e tij Ferdije Zhushi, dëshmitarit ia shtroi avokati i saj Gëzim Kollçaku.

A ju ka kërkuar juve personalisht drejtpërdrejt, Ferdija apo ndonjë anëtar i familjes Zhushi të holla në emër të ndonjë favori?, pyeti Kollçaku.

Njësoj si Bajram Tmavës, dëshmitari Berisha iu përgjigj edhe avokatit Kollçaku.

“Nuk më ka kërkuar drejtpërdrejt”, tha dëshmitari.

Kollçaku më tutje e pyeti dëshmitarin nëse ai kishte biseduar ndonjëherë me Ferdije Zhushin në lidhje me kërkimin e parave në emër të saj. Dëshmitari mohoi se bisedoi për këtë çështje ndonjëherë me tash të akuzuarën.

E akuzuara Ferdije Zhushi kërkoi pastaj nga dëshmitari Berisha që të tregojë se sa herë i kishte dërguar njerëz me porosinë që kolegji duhet të ecte me akreditim programesh.

“Për fat të keq jam detyruar t’i përdor të gjitha vijat e mundshme pos korrupsionit, por të Ferdije Zhushi asgjë s’ka çuar peshë pos korrupsionit”, tha Suad Berisha.

Berisha gjithashtu akuzoi Ferdije Zhushin e Basri Mujën për falsifikim të raporteve të ekspertëve në lidhje me akreditimin.

“Zyrtarët e akreditimit Basri Muja së bashku me Ferdije Zhushin të gjitha raportet origjinale të ekspertëve i kanë falsifikuar”, tha Suad Berisha.

Edhe në prill të këtij viti kur dëshmoi në këtë proces, Berisha ishte edhe më konkret, ndërsa tha se i janë kërkuar 20 mijë euro për akreditim të programeve.

http://kallxo.com/deshmitari-mi-kerkuan-20-mije-euro-per-akreditim-te-programeve/

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.

Seanca e radhës do të mbahet me 11 korrik, ku pritet të dëshmojë vëllai i Suad Berishës, Sedat Berisha njëherësh bashkëpronar në Kolegjin “Universum”.