Shkumbin Mehmeti dëshmon në gjykimin e Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari i rastit të Bedri Krasniqit nuk e di pse mbahet në ‘burgun e dëshmitarëve’

Institucionet e Kosovës nuk e kanë një shpjegim të qartë se  pse e mbajnë në burgun e dëshmitarëve të mbrojtur Shkumbin Mehmetin.

I burgosuri Mehmeti është i dënuar për sulmin në mars të vitit 2004, ku u vranë dy policë, një i UNMIK-ut dhe një i Kosovës.

Mehmeti, i cili u bë lajm javën e fundit për shkak se si dëshmitar në rastin ndaj Bedri Krasniqit dhe të tjerëve ishte transportuar në një makinë së bashku me të akuzuarin, ka shkruar një letër ku kërkon sqarime pse ai mbahet i izoluar në burgun ku mbahen dëshmitarët.

“Prej gushtit 2012, me urdhër të PSRK-së jam vendosur në pavionin “D”. Unë shumicën e kohës kam qëndruar i vetmuar. Veçimi nga të tjerët është duke vazhduar. Veçimi nga të burgosurit e tjerë është duke me shkaktuar problem psiko-fizike. Kohën e fundit më është dashur të vizitohem te psikologu e psikiatri, ende jam duke vazhduar me seancë psikologjike dhe terapi psikiatrike”, shkruan Mehmeti.

Ai thotë se është dëshmitar në rastin e vrasjes ndërsa i ishte premtuar që në këmbim të dëshmive t’i zbutej dënimi.  Mehmeti ishte vendosur  në Burgun e Sigurisë së Lartë kur dha dëshminë për marsin 2004 ndërsa thotë se kishte oferta që të ofronte dëshmi për rastin e sulmit ndaj “Nish Express” ku u vranë disa serbë.

Në atë kohë, Mehmeti thotë se kishte refuzuar të japë këtë dëshmi dhe kishte kërkuar që të largohej nga pavijoni i dëshmitarëve por kërkesa e tij nuk është miratuar.

KALLXO.com ka zbuluar se Prokuroria Speciale nuk ka të dhëna nëse ky dëshmitar është i mbrojtur ndërsa Shërbimi Korrektues pretendon se ka një urdhër të tillë.

“Ju njoftojmë se në shkresat e lëndës  të cilën lëndë e ka pranuar në muajin qershor të vitit 2018 një prokuror nga PSRK,  nuk ka ndonjë shkresë se ky dëshmitar ka statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Po  ashtu, nuk kemi informata se a ka  ky dëshmitar statusin e dëshmitarit të mbrojtur në ndonjë rast tjetër”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Prokuroria Speciale.

Ndryshe nga Specialja, Shërbimi Korrektues në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se dërgimi i Mehmetit në pavijonin e dëshmitarëve të mbrojtur është bërë me urdhër të ShKK-së,

Shkumbin Mehmeti është ndër dëshmitarët e rastit për vrasjen e dy policëve në marsin e vitit 2004.

Prokuroria pretendon se Mehmeti ishte pjesë e grupit që organizuan trazirat e marsit 2004.

https://kallxo.com/dosja-e-eulex-per-trazirat-e-marsit-2004-urdhra-nga-struktura-te-larta-te-uck-se/

Pak ditë pas trazirave, dy policë ishin vrarë ndërsa Prokuroria pretendon se ka zbardhur rrethanat se si ishte kryer kjo  varsje.

Në letrën e tij, Mehmeti sqaron se si ishte pjesë në rastin ku janë vrarë dy policët.

“Nga 13 të akuzuar, 12 janë liruar të pafajshëm dhe vetëm unë jam dënuar. Kam ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme dhe Gjykatën Kushtetuese por të gjitha ankesat janëhudhurposhtë, kështu që Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut të Prishtinës i datës 09.11.2007 P.nr.203/2005, ka marrë formën e plotëfuqishme”, deklaron Mehmeti.

Ai thotë se Gjykatat atë e ka dënuar për një vepër të cilën nuk e ka kryer.

“Viktimat janë vrarë me AK-47 ndërsa unë jam dënuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje të granatë-hedhësit 40mm”, thotë Shkumbin Mehmeti.

Ndonëse thotë se është dënuar pa të drejtë nga Gjykata, Mehmeti deklaron se më pas kishte filluar bashkëpunimin me prokuroren e EULEX-it Emma Rizzato dhe dy hetues policorë, të cilëve thotë se u ka dhënë informacione për vrasjen e policëve në Shakovicë.

“Meqë Gjykatat e UNMIK-ut dhe më pas te EULEX-it më dënuan për një vepër që nuk e kisha bërë, në vitin 2012 fillova bashkëpunimin me Prokurorinë dhe Policinë e EULEX-it për të ndriçuar në tërësi vrasjen e policëve me dt.23.03.2004. Në gusht 2012 me urdhër të PSRK-EULEX jam vendosur në pavijonin D (pavijon për dëshmitarë të mbrojtur)”, tregon ai.

E për këtë bashkëpunim me organet e drejtësisë, Mehmeti thotë se tash është duke u penalizuar.

“Si bashkëpunëtor i drejtësisë duhet të gëzoj privilegje e jo të penalizohem në emër të sigurisë dhe t’i humb të drejtat që me takojnë me ½ e dënimit. Kjo situatë më bën të mendoj se a ia vlen të vazhdoj bashkëpunimin me drejtësinë apo të tërhiqem nga bashkëpunimi me drejtësinë në mënyrë që t’i gëzoj beneficionet që po m’i ndalon statusi i dëshmitarit”, deklaron Shkumbin Mehmeti.

Falë bashkëpunimit të tij me Prokurorinë dhe Policinë e EULEX-it, Shkumbin Mehmeti thotë se janë zbuluar prova të reja dhe janë kryer arrestime të reja.

“Duke u bazuar në provat e reja dhe arrestimet që ndodhën, avokati im Skender Musa me datën 04.06.2014 ka paraqitur kërkesë për rishikim të procedurës penale”, shprehet Mehmeti.

Sipas Shkumbin Mehmetit, më 25 qershor të vitit 2014 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës – EULEX ka dhënë mendim pozitiv për rishikimin e procedurës penale. Megjithatë sipas Mehmetit prapë se prapë Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën për rishikim të procedurës me arsyetimin se faktet dhe provat e reja nuk ofrojnë arsye për lejimin e rishikimit të procedurës penale.

Më tej ai thotë se përmes avokatit të tij, ankesë ka ushtruar edhe në Gjykatën e Apelit, për të cilën Gjykatë thotë se edhe kjo e refuzoi kërkesën e tij për rishikim të procedurës përkundër faktit se siç thotë Mehmeti, prokurori i rastit që ishte duke u marrë me hetimet e vrasjes së policëve kishte dhënë mendim pozitiv për rihapjen e rastit.

Pas këtij vendimi, i dënuari thotë se në tetor të vitit 2015 kishte pranuar një email në emër të policit hetues Filip Weston i cili i kishte thënë se është marrë vesh me prokurorin e rastit që të përkrahin kërkesën e tij për rishikim të procedurës.

Ndonëse pas dy muajsh, më 2 dhjetor 2015, pranë Gjykatës së Prishtinës ka paraqitur përsëri kërkesë për rishqyrtim të rastit, PSRK-ja ka vlerësuar se kërkesa nuk ofron arsye për lejimin e rishikimit të procedurës dhe pastaj Gjykata e Prishtinës kërkesën e hedh si të pasafatshme.

“Vërehet qartë se Gjykata ka qëllim dhe mendim negativ ndaj meje dhe kërkon në çdo formë që kërkesat e mia të mos i aprovojë. Kjo shihet qartë në këtë aktvendim ngase arsyetimi në të është se: Pala mund të kërkojë rishikim të procedurës penale brenda dy vitesh nga aktgjykimi i formës së prerë. Në këtë rast konkret çështja penale, Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut ka marrë formën e prerë më 26.11.2010, konkretisht kërkesa për rigjykim ka mundur të ushtrohet deri më 26.11.2012”, deklaron Mehmeti.

Procesi në rastin e organizimit të traziarave të marsit 2004 ka rinisur sërish në Gjykatën e Prishtinës.

Aty po gjykohen edhe Bedri Krasniqi dhe Alban Dizdarit, si pjesëtarë të grupit që kreu vrasjet.