Dëshmitari-10 Mijë Euro Ryshfet për Lirinë e Familjarëve
Dëshmitari Artan Hasani tha në seancë se 10 mijë eurot ia dha Isak Smakollit për lirimin nga paraburgimi të babait dhe vëllait të tij.
“Pas lirimit te babës dhe vëllait nga paraburgimi, Isaku ka ardhur te shtëpia dhe ia kemi dhanë 10.000 euro,” deklaroi dëshmitari Hasani duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Edhe Isak Smakolli, bashkë me Idriz Kelmendin janë pjesë e këtij procesi gjyqësor. Vahide Badivuku, Isak Smakolli dhe Idriz Kelmendi akuzohen nga prokuroria për marrje ryshfeti, keqpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi.
Në seancën e sotme gjykata refuzoi pranimin e fajësisë nga Isak Smakolli, me arsyetimin se Smakolli veprat për të cilat akuzohet i ka kryer bashkë me Idriz Kelmendit.
Dëshmitari Hasani më tutje tregoi se në çështjen e babait dhe vëllait të tij prokurore ishte tash e akuzuara Vahide Badivuku.
“Në çështjen penale te familjes sonë Hasani, prokurore ka qenë Vahide Badivuku,” tha dëshmitari.
Prokurorja Badivuku akuzohet se përpiloi një kërkesë për lirimin e disa automjeteve të sekuestruara në këmbim të marrjes së ryshfetit.
http://kallxo.com/afera-e-veturave-detajet-pse-vahide-badivuku-u-arrestua/
Disa nga këto vetura dëshmitari Hasani e pranoi se ishin të anëtarëve të familjes së tij.
“5 nga veturat kanë qenë të autosallonit ‘Andi’, ndërsa 3 veturat kanë qenë te familjarëve të mi,” tha dëshmitari, duke iu përgjigjur pyetjes së Gëzim Balokut, avokatit të Vahide Badivukut.
Dëshmitari pastaj deklaroi se nuk e dinte nëse Badivuku kishte bërë kërkesë që babait dhe vëllait të tij t’u vazhdohet arresti shtëpiak.
Besnik Berisha, avokati i Idriz Kelmendit, e pyeti dëshmitarin nëse ndaj tij, vëllai dhe babai është duke u zhvilluar procedurë penale për ushtrim ndikimi dhe fajde. Dëshmitari Artan Hasani kësaj pyetje iu përgjigj shkurt me “po”.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore avokati Besnik Berisha për kallxo.com deklaroi se e konteston kredibilitetin e këtij dëshmitari pasi që i njëjti sipas tij ishte shumë kundërthënës.
“Unë e kontestova kredibilitetin e dëshmitarit dhe ne fakt nxora disa prova më rëndësi për të vërtetën në këtë çështje penale, sepse dëshmitari në fillim dha një version se kishte negociuar shuma te ndryshme të parave me te akuzuarin Isak Smakolli tani dëshmitar bashkëpunues dhe me vonë dëshmitari demanton vetveten sepse me vonë tha shumën prej 10.000 eurosh, ia kishte kërkuar hua dhe ishte një ngatërresë totale,” tha avokati Berisha.
Prokurorja Vahide Badivuku ishte arrestuar më 23 gusht të vitit të kaluar, ndërsa aktakuza ndaj saj dhe dy të tjerëve ishte ngritur në nëntor.