Stacioni policor në Vushtrri, Foto: KALLXO.com

Dyshohet se kërcënoi policin që pretendohet se i rrahu djalin, babai i të riut nga Vushtrria dërgohet në mbajtje

Babai i Artan Hasanit, i cili pretendon se u rrah nga dy policë në Vushtrri, mbrëmjen e 23.02.2024 është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje nën dyshimin për kërcënim. 

KALLXO.com mëson nga familjarët se babai i Artan Hasanit shkoi për të biseduar me njërin nga zyrtarët policorë që pretendohet se i sulmoi djalin e më pas aty u tensionua situata.

Polici e ka raportuar rastin dhe është iniciuar vepra penale e kanosjes ndaj babait të Artan Hasanit dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. 

KALLXO.com raportoi për pretendimet e Artan Hasanit se u rrah nga dy policë brenda Stacionit Policor të Vushtrrisë. 

I riu pretendon se më 22.02.2024, është goditur me boks në ftyrë dhe në barkun e tij ndërsa prezenca e tij në stacion nuk ishte për ndonjë aktivitet kriminal por për një aksident trafiku.

Disa minuta para ngjarjes, Artan Hasani ishte aksidentuar me një veturë që e drejtonte një vajzë.

Aktualisht ndaj Artan Hasanit janë duke u zhvilluar dy procese, një si i dyshuar për sulm ndaj personave zyrtarë në Policinë Rajonale në Vushtrri dhe një tjetër në cilësinë e viktimës në Inspektoratin Policor të Kosovës. 

Siç mëson KALLXO.com, pasi kishte mësuar se kush janë policët që pretendohet se i rrahën djalin, babai i Artan Hasanit shkoi për të biseduar dhe për të kërkuar llogari për këtë çështje. 

Aty më pas është tensionuar situata dhe janë njoftuar edhe organet e rendit.

Nga fshati Reznik, babai i Artan Hasanit kishte shkuar te shtëpia e policit që gjendet në fshatin Vërnicë të Vushtrrisë rreth orës 19:50 më 23.02.2024. 

Kjo ngjarje është regjistruar edhe në raportin ditor të policisë të datës 24.02.2024.

Aty thuhet se ankuesi zyrtar policor jashtë detyrës ka raportuar se një person i ka shkuar në shtëpi dhe në prezencë të familjarëve e ka kërcënuar për rastin i cili ishte iniciuar më 22.02.2024.

“I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”- thuhet në raportin e 24.02.2024 të Policisë së Kosovës. 

Rrëfimi i të riut nga Vushtrria që pretendon se u rrah nga disa policë (VIDEO)