Deputeti Petroviq kaloi në pikën kufitare në Merdarë

Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se deputeti Slobodan Petroviq sot në orën 11:00 do të kalojë në pikën kufitare në Merdare për në Serbi.

Kjo pasi që zyrtarë të Partisë Liberale Serbe kanë paralajmëruar se në mënyrë të organizuar do ta kalojnë kufirin në Merdare në shenjë të ndalimit dhe të keqtrajtimit të funksionarëve të kësaj partie në vendkalimet kufitare në Merdare, te Dheu i Bardhë dhe në Jarinje.

Të enjten, KALLXO.com ka raportuar se këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinajt, Srdjan Jovanoviç, është ndaluar nga autoritetet e sigurisë dhe inteligjencës në Serbi.

Kështu ka bërë të ditur Haradinaj përmes ‘Facebook’-ut, ku ka shprehur shqetësimin e tij për këtë ndodhi.

“Shpreh shqetësimin për ndalimin e këshilltarit tim Srdjan Jovanoviç nga autoritetet e sigurisë dhe inteligjencës serbe. Ky ndalim, që nuk është i pari i kësaj natyre, edhe njëherë dëshmon qartë se metodat e frikësimit që përdoren nga autoritetet serbe, janë një shenjë agresioni, karshi qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri i ka bërë thirrje autoriteteve në Bruksel që të reagojnë ndaj palës serbe.

“Ju bëjmë thirrje autoriteteve të Brukselit zyrtar që të reflektojnë dhe adresojnë, sjelljen e autoriteteve serbe ndaj qytetarëve të Kosovës. Ky agresion, nuk i ndihmon normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve tona”, thuhet në postimin e kreut të ekzekutivit kosovar.

Funksionarë të Partisë Liberale Serbe sot në orën 11:00 kanë paralajmëruar se në mënyrë të organizuar do ata kalojnë kufirin Merdar në shenjë të ndalimit dhe të keqtrajtimit të funksionarëve të kësaj partie në vendkalimet kufitare në Merdare, te Dheu i Bardhë dhe në Jarinje.