Nga mbledhja e sotme e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi. Foto: Kallxo.com

Deputeti mjek i quan menaxhuesit e sistemit shëndetësor ‘të padijshëm', reagojnë koleget

Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka diskutuar rreth gripit sezonal në Kosovë.

Kryetarja e këtij komisioni, Besa Baftiu nga PSD tha se rastet të cilët janë shënuar me vdekje nga gripi kanë qenë persona jo të vaksinuar.

Baftiu shtoi se rastet nga gripi sezonal janë duke shënuar rënie

“Në kohën që jemi sot del se situata epidemiologjike është nën kontroll, numri i të prekurve nga gripi është duke u zvogëluar, është nën kontroll dhe pasi jemi në sezonën të pranverës do duhet të ishte më pak”, tha ajo.

Anëtari i këtij komisioni nga LDK, Haxhi Shala tha se sistemi shëndetësor në menaxhimin e kësaj situate ka dështuar.

“Institucionet shëndetësorë jo vetëm që janë me shëru por edhe me parandalu raste. Nuk kanë ekzistu masat për parandalimin e saj kjo është dështim total i sistemit shëndetësor, shpresoj që vitin tjetër të jetë më mirë sepse ky vit është skandaloz”, tha Avdyli.

Deputeti gjatë deklaratës së tij i kritikoi menaxhuesit e institucioneve shëndetësore qendrore në vend duke i quajtur “të padijshëm”.

Por e të njëjtit mendim nuk ishte anëtarja e komisionit nga AAK, Time Kadrijaj e cila kërkoi nga Avdyli që të mos i quajë mjekët të padijshëm.

“Nuk pajtohem me (Haxhi) Avdylin që i quajti të padijshëm mjekët profesionistë. Kjo s’na bën mirë më i fy kolegët tanë sepse edhe ne jemi mjekë. Pajtohem që nuk është menaxhu mirë situata por jo me i fy ata”, tha Kadrijaj.

Ndërsa Avdyli nuk e tërhoqi fjalën e tij në lidhje me mjekët.

“Kjo është dështim sepse janë njerëz të padijshëm të papërgjegjshëm sepse me taksa të qytetarëve  paguhen për këtë punë. Ky është dështim total”, tha ai.

Për deklaratën e Avdylit ndaj mjekëve reagoi edhe kryetarja e komisionit, Besa Baftiu tha se nuk duhet të quhen tëpadijshëm.

“Haxhi pajtohem që the për keq menaxhim por nuk pajtohem që po thua që janë njerëz të padijshëm sepse edhe vet je mjek dhe këta doktorë të kanë dhënë mësim”, tha ajo.

Haxhiu ia ktheu Baftiut dhe Kadrijajt me “a avokatët e tyre jeni a”.

Ndërsa, Flora Brovina anëtarë e PDK-së në këtë komision kërkoi që të ftohen të gjithë përgjegjësitë në raportim në komision për këtë rast.