Deputeti ‘lut’ LDK-në e VV-në për mobilizim

Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu ka shkruar një letër publike ndaj partive opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje për mobilizim në protesta kundër bisedimeve të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në fazën e fundit të dialogut.

Sipas tij, presidenti Hashim Thaçi nesër shkon në Bruksel për të vënë në pikëpytje pavarësinë e Kosovës.
Ai bëri thirrje për protesta gjithëpopullore kundër ideve të shkëmbimit të territoreve.

Më poshtë mund ta lexoni statusin e plotë të Sejdiut.

Në pamundësi të takimit të përbashkët në këto rrethana urgjente të krijuara në vend, po ju drejtohem me këtë shkresë si lutje për bashkim, mobilizim dhe veprim të menjëhershëm për shpëtim të vendit.

Si edhe jeni dëshmitarë, sot dështoi tentativa e sinqertë e shumicës shqiptare, që sot fatkeqësisht gjendet në opozitë, për të parandaluar përmbysjen e rendit kushtetues dhe zhbërjen e shtetit. Në këto rrethana, kemi një President i cili seriozisht cenon Kushtetutën në vazhdimësi dhe nesër shkon në Bruksel për të diskutuar ndër të tjera ndarjen e Kosovës dhe rihapjen e statusit të saj si shtet i njohur ndërkombëtarisht.

Në ndërkohë, i njëjti ka bllokuar Komisionin Qëndror Zgjedhor duke dërguar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila shihet qartë se nuk do të këthejë përgjigje deri sa Presidenti përfundon veprimet e tij kundërkushtetuese. Poashtu, sot u bë e qartë se “shumica” parlamentare e pakicës, formalisht u bë pjesë e komplotit për shkatërrimin e Republikës.

Pra, si qatipë të Presidentit, dhe në mungesë të legjitimitetit, kanë vendosë që të mbajnë Kuvendin e Republikës së Kosovës të bllokuar, me qëllim që t’i krijojnë Presidentit mundësinë e vazhdimit të planeve të tij të kobshme.
Është evidente se tani më veq jemi në një fazë tjetër të historisë sonë të re si shtet. Është e rëndësishme të kuptohet se po bëhet fjalë për shumë më shumë se sa për veprimet e një autokrati të dehur nga pushteti, që synon vetëm mbijetesën personale.

Po bëhet fjalë për betejën epike në mes të mirës dhe të ligës. Betejë në mes të autokracisë dhe demokracisë, në mes të tiranisë dhe lirisë. Betejë në të cilën nuk jemi të vetëm sepse po bëhet në tërë globin. Por për ne, është edhe betejë ekzistenciale. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për veprimet e një njeriu, por për rrënimin e temeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës – injorimi dhe cenimi serioz i përgjegjësive dhe kufizimeve kushtetuese që qytetarët ua kanë vendosë atyre që i kanë mveshur me pushtet.Prandaj, ka ardhë koha të vendoset një vijë që tregon se kush është pro shtetit dhe Pavarësisë, e kush kundër shtetit dhe kundër Pavaresise.

Ky është momenti kur ne vendosim se Kosova e jonë e posalindur – a bëhet shtet i mirëqenë i qytetarëve të saj, apo, shëndërrohet në plaqkë lufte të gëlltitur nga grabitqarët autokratë të Kosovës e rajonit.
Vendit tonë më shumë se kurrë i nevojiten liderë, qeveritarë dhe profesionistë që kanë edukatën, arsimimin, sinqeritetin, njohuritë, përvojën, pavarësinë, vullnetin, besueshmërinë dhe guximin për ta çkapur shtetin nga krimi dhe për ta bërë Kosovën shtet që meriton të jetë. LDK dhe VV së bashku përfaqësojnë shpresën dhe guximin e nevojshëm për ta çkapur vendin nga krimi, dhe dijen për të siguruar prosperitet përmes zhvillimit të konsiderueshëm të Kosovës.

Kryetarë të nderuar;
Pasur parasyshë faktin se në seancën e sotit u bë e qartë se kush është në anën e Kosovës dhe qytetarëve, morra lirinë që t’ju drejtohem me këtë lutje. Na bëni sot bashkë, dhe tregoni se atdheu është më i rëndësishëm se ideologjitë politike apo programet elektorale. Se Kosova ka shumë më shumë rëndësi se inatet eventuale që mund të kemi nga e kaluara, sa do të rëndësishme dhe legjitime që mund të jenë ato.

Tregoni se jeni në anën e popullit, kundër tiranisë. Sot qytetarët presin nga Ju unifikim për të luftuar kundër atyre që vendosin vehten mbi Kushtetutën dhe shtetin tonë. Qytetarët kanë parë se si uzurpatorët e shtetit, të bashkuar nën petkun qeverisës, mund ta qojnë shtetit drejt greminës. Prandaj presin shumë nga të gjithë ne, por veqanërisht nga LDK dhe VV. Presin që ju t’i udhëheqni në këtë betejë me veprime konkrete dhe të kordinduara mirë.
Rrugët normale institucionale me veprimet e sotit u pa se kanë marrë fund. Është e qartë se shteti është i zaptuar dhe bllokuar nga një rrjet i ngushtë i atyre që qëllim të vetëm e kanë mbijetesën personale, dhe jo vendin. Tentativat e njerëzve pa mandat kushtetues dhe legjitimitet nga shumica shqiptare për të bërë koncesione territoriale në emër të Kosovës kërkon kundërveprim të ashpër.

Nëse nuk deshtën t’i dëgjojnë zërat tonë nga Kuvendi, le të bartin pasojat e rënda të protestave gjithpopullore. Më rrënqethet trupi kur kujtoj, si fëmijë, ndryshimet jetike të krijuara me protesta popullore nga studentët, e pastaj ato të thirrura nga Presidenti Rugova. Populli është gati sërish, i mbushur me mllefin e dy dekadave nën thundrën e abuzimit. Vetëm kësaj rradhe, ta çlirojë vehten nga e keqja e brendshme.
Përgjegjësia bie mbi ne që të detyrojmë dhe shkaktojmë rrëzimin e menjëhershëm të këtij regjimi.

T’ju përqojmë atyre porosinë e qartë se deri sa mandati i tyre buron nga dhuna, krimi, e Beogradi, mandati i ynë buron nga populli dhe shpresa për ditë më të mira. Ju them sot, atë që po e dëgjoj nga qytetarët çdo ditë. Le të rrëzojmë këtë regjim të kalbur. Të veprojmë së bashku për të siguruar fitore të bindshme të qytetarëve. Të formojmë pastaj së bashku qeveri stabile dhe legjitime, të gatshme të ballafaqohet me të gjitha sfidat që ka ky vend – përfshirë edhe bisedimet për normalizim me Serbinë.

Në rrethanat e krijuara, ne kemi një përgjegjësi historike ndaj qytetarëve dhe vendit. Që sot të jemi zëri i qytetarëve dhe të përqojmë porosinë e tyre. Porosi që duhet të dëgjohet nga të gjithë. Se Kosova ka dhënë krejt çka ka mund të jep. Se Kosovës i kanë të tjerët borxh, e jo anasjelltas. Se Kosova është shumë më e rëndësishme se mbijetesat dhe avancimet personale, të kujt do qofshin. Se Kosova është e qytetarëve dhe miqëve të saj, dhe e askujt tjetër. Se Kosova përcaktohet edhe një herë që të jetë vend demokratik — të jetë shtet i së drejtës e jo i “të fortëve”.

Dhe këtë borxh, të dashur Kryetarë, ua shpaguajmë qytetarëve tanë dhe vendit vetëm nëse bashkohemi. Në të kundërtën, mbesim peng i lëngimeve që na dëmtuan përgjatë historisë. Mbesim spektator të edhe një tragjedie kombëtare. Heshtja dhe mungesa e kundërshtimit kolektiv të ashpër nga të gjithë ne në këto momente nënkupton miratim të asaj që po ndodhë. Përqarja mes jush, rezulton me koncesione shtesë ndaj Serbisë. Mungesa e përpjekjes së ashpër është aprovim i vazhdimit të kapjes së shtetit nga armiqtë e të ardhmes sonë. Mungesa e unifikimit është mandatim që të vazhdohet me rrënimin e Republikës.
E di që nuk e keni lehtë. E di që keni presion nga të gjitha anët – nga brenda dhe jashtë subjekteve, nga brenda dhe jashtë Kosovës. Por ta dini, se qëndrimi i juaj i përbashkuar dhe stoik në këto momente, mbështetet fuqishëm në vullnetin e popullit tonë për të jetuar i lirë. Sot, si kurrë më parë, e keni popullin mbrapa!