Deputeti Kundërshton Miratimin në Pako të Anëtarëve të Bordeve

Qela reagoi kundër formës së tillë të miratimit në mbledhjen e Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

“Nuk është në nderin e këtij komisioni që të kalojë nëpër të një komision i caktuar për borde shumë të rëndësishme edhe ne vetëm t’i bëjmë ‘aminin’ emrat të cilave i dërgon qeveria të gatshëm. Dërgimi në bllok edhe pse është sot i ligjshëm mendoj se nuk është ndonjë zgjidhje fatlume”, tha Qela.

Por kryetari i këtij komisioni, Muhamet Mustafa kundërshtoi se janë duke bërë ‘amin’.

“Askush prej askujt nuk po kërkon me bë ‘amin’, nuk do të bëjmë ‘amin’, por është çështje që ngrite është procedurë në ligj dhe shkojnë me pako. Unë pajtohem me ty që komisioni të iniciojë që tani e tutje të votohet për secilin individualisht,” deklaroi Mustafa.

Komisioni pastaj rekomandoi që në të ardhmen për anëtarët e bordeve të votohet në mënyrë individuale për secilin, ndërkaq këtë çështje e kundërshtoi deputetja nga radhët e PDK-së, Sala Berisha-Shala, e cila votoi kundër.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik gjatë mbledhjes miratoi emrat për anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare, ARKEP të propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Komisioni ua dha dritën e gjelbër Kreshnik Gashit, Bahri Anadollit, Njazi Ademajt, Hazir Hajdarit dhe Shqiprim Pulës për në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, ku ata do të votohen ose jo për të qenë pjesë e ARKEP-it.

Komisioni miratoi edhe emrat për Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

Përveç aprovimit të emrave për dy bordet, komisioni aprovoi në parim Projektligjin për Siguri në Punë në Veprimtarinë Minerare dhe Raportin me Rekomandime të Projektligjit për Energjinë Termike.

Deputetja Berisha-Shala e cila kishte iniciuar Projektligjin për Siguri në Punë në Veprimtarinë Minerare përmendi që ekziston Rregullorja për Sigurinë në Miniera, por mungesa e një ligji për këtë fushë konsiderohet trajtim jo i mirëfilltë i sigurisë në punë dhe miniera.

“Ne i kemi hyrë kësaj pune që pjesët nga rregullorja t’i fusim t’i bëjmë si ligj dhe në këtë ligj kemi arritur që të fusim edhe dispozita të cilat janë të parapara në Bashkimin Evropian për veprimtaritë dhe operimet minerare,” tha ajo.