Korab Sejdiu (Deputet). Foto: Atdhe Mulla

Deputeti kritikon MPB-në për aksidentet fatale në komunikacion

Deputeti Korab Sejdiu në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, në seancën e sotme të Kuvendit ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat pas aksidentit të djeshëm në Suharekë në të cilin humbën jetën pesë persona nga një familje.

“Më lejoni që fillimisht të shpreh ngushëllimet e thella për viktimat që kanë pësuar në komunikacion vikendin e kaluar në komunikacion dhe të bëjë thirrje për qytetarët për kujdes të shtuar në rrugët tona”, shtoi ai.

Sejdiu i bëri thirrje edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ketë një plan konkret për trafikun rrugor.

“Njëkohësisht po bëj thirrje edhe te Ministria e Punëve të Brendshme që të ketë të ketë një plan konkret për përmirësimin e sigurisë në komunikacion dhe t’i zhvendosë përpjekjet nga dhënia e gjobave në qendër të kryeqyteteve sa për ta mbushur buxhetin dhe t’i fokusojnë përpjekjet që vërtetë të përmirësohet kujdesi në komunikacion”, kritikoi deputeti.

Sa i përket Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, ai shtoi se sot po flitet për një institucion jashtëzakonisht të rëndësishëm.

“Ky ligj është paraqitur si diçka pro dhe kundër EULEX-it, kjo është njëra ndër temat që adresohet por kjo ka të bëjë me diçka shumë më të madhe”, theksoi ai.

Kjo, sipas Sejdiut, duhet të diskutohet në dy aspekte, në atë politik dhe juridik.