Foto: Facebook

Deputeti i VV-së fton ‘anëtarët e mirë‘ të PDK-së t’i bashkohen Vetëvendosjes

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, u ka bërë thirrje anëtarëve të PDK-së që t’i bashkohen partisë së tij.

Kjo thirrje nga zyrtari i Vetëvendosjes vjen pas zgjedhjes në krye të degës së PDK-së në Prizren të Shaqir Totajt, e cila, sipas tij është bërë në mënyrë arbitrare dhe që tregon se te ky subject politik ka vdekur demokracia.

“Riciklimi i kandidatit që humbi garën zgjedhore për të parin e Prizrenit, pa përkrahjen e strukturave të partisë dhe i zgjedhur arbitrarisht tregon nivelin e brishtë të organeve të kësaj partie”, ka shkruar Rexhaj në profilin e tij në Facebook.

Po ashtu, deputeti i VV-së thotë se zgjedhja e Totajt, ndaj të cilit, sipas tij, kanë filluar hetimet të konfirmuara nga prokuroria për fyerje raciste, e tregon rrugën që do ta marrë PDK-ja në Prizren.

“Në një anë kishin korrupsionin dhe krimin institucional kur ishin në pushtet, tash vlerave të stërkequra të tyre ia shtuan edhe fashizmin nacional e kulturor që i përfaqëson kryetari i sapo zgjedhor i degës”, ka shtuar ai.

Prandaj, Arbër Rexhaj thotë se aktivistët e mirë të PDK-së vendin nuk e kanë askund tjetër pos në Lëvizjen Vetëvendosje.

https://kallxo.com/totaj-ne-krye-te-pdk-se-ne-prizren/

www.kallxo.com