Ushtari ukrainas, Foto: Presidenca e Ukrainës

A duhet të ndryshohet ligji që ndalon kosovarët të marrin pjesë në luftëra jashtë vendit?

Sot janë bërë shtatë ditë prej kur Rusia nisi agresionin ushtarak duke sulmuar Ukrainën nga tre fronte, toka, ajri dhe uji.

Qindra viktima e afër një milion refugjatë ukrainas u larguan nga vendlindja e tyre pas sulmit ushtarak nga Rusia.

Tri ditë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, bëri një thirrje publike për të gjithë shtetasit e huaj që janë “miq të paqes dhe demokracisë” që të udhëtojnë në Ukrainë dhe të luftojnë krahë ushtrisë ukrainase kundër Rusisë.

“Kushdo që dëshiron të bashkohet me mbrojtjen e Ukrainës, Evropës dhe botës, mund të vijë dhe të luftojë krah për krah me ukrainasit kundër kriminelëve rusë të luftës”, citohet të ketë thënë Zelenskiy.

Ndërsa, vetëm një ditë pas, thirrjes filluan të i përgjigjen disa shtetas të Britanisë së Madhe. Edhe Danimarka lejoi shtetasit e saj që të bashkohen në brigadat ndërkombëtare që do të formoheshin për të luftuar kundër pushtimit rus ndaj Ukrainës. Këtë e kishte thënë kryeministrja e këtij vendi, Mette Frederiksen.

Por, shtetasit e Kosovës edhe nëse duan, nuk mund të marrin pjesë në një luftë jashtë vendit.

Janë bërë gati 7 vite prej kur Kuvendi i Kosovës nxori një ligj i cili ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të vendit në lufta jashtë territorit tonë.

Atë kohë, synohej ndalimi i pjesëmarrjes në konfliktet e armatosura në lindje të mesme ku disa organizata terroriste luftonin kundër perëndimit.

“Kushdo që merr pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht , në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”, thuhet në paragrafin 3 të nenit 3 të këtij Ligji.

Sot, kur Ukraina po përballet nga agresioni luftarak rus, janë shtuar zërat nëse ligji për ndalimin e bashkimit në konfliktet të armatosura jashtë territorit të vendit, duhet të ndryshohet.

Deputetet që janë pjesë e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës kanë thënë se diskutimi për ndryshimin e këtij ligji duhet të nis.

“Jemi në rrethana të reja tash, dihet që këto janë lëvizje botërore, mund të ketë luftë edhe këtu, ka nis në Ukrainë po mundet edhe nga Serbia. Këtu nuk ka mendim, këtu duhet veprim dhe ne do ta shqyrtojmë dhe jemi duke diskutuar sesi t’i eliminojmë këto pengesa që i kemi qitë vetit pa menduar hiç”, ka thënë Bekë Berisha, kryetar i këtij komisionit.

Ai tha se janë disa tema që po diskutohen në komisionin për siguri aktualisht.

“Në komision i kemi hapur të gjitha temat e mundshme që kanë lidhje me këtë situatë, që është e re. Tani janë shumë gjëra që duhet me i trajtu, çështja e magazinave, çështja e depove, ushqimit, bunkerëve e strehimoreve, të gjitha po diskutohen”, tha deputeti Berisha për KALLXO.com.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj pajtohet që diskutimi mbi ligjin që ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve në luftëra jashtë vendit, duhet të nis.

“Ndoshta është mirë me u hapë si diskutim, si temë e diskutimit mirëpo duhet me e pa për shembull nëse e heqim apo jo këtë ligj, a ka diçka përfitim diçka Kosova dhe qytetarët”, tha Rexhaj për KALLXO.com.

“Nuk është diskutuar ende në komision dhe mendoj që duhet të diskutohet, nuk po them unë me ndërru ligjin por unë mendoj që duhet të diskutohet edhe në publik”, deklaron deputeti i LVV-së.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha thotë që ky ligj duhet të ndryshohet, por ka propozuar që për disa cështje të bëhet kujdes gjatë procesit të rishikimit.

Ish-eprori i UÇK-së, kujton kohën kur në luftën e fundit në Kosovë kanë marrë pjesë shtetasë të huaj që ishin rreshtuar krahë shqiptarëvë në luftën kundër Serbisë.

“Duhet që ky ligj të rishikohet dhe duhet të ndryshohet. Kosova ka me çka t’i ofrohet Ukrainës, aleancat në luftëra na kanë sjell partneritete në paqe, për shembull, përvoja me Kroacinë. Kosova ka pas atje një njësi e cila është quajtur “Brigada e Kosovës”, që ka qenë me flamur tonin, madje edhe në Bosnje”, tha ai.

Por, Berisha thekson që ligji duhet të përfshijë një pikë të veçantë e cila ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve në luftëra përkrah organizatave të shpallura si terroriste.

“Duhet të rishikohet ky ligj por të theksohet se ndalohet pjesëmarrja në luftëra që organizohen nga organizatat që botërisht njihen si terroriste. Pra, bota ka mjaftë organizata terroriste që e cenojnë sigurinë ndërkombëtare”, deklaron Berisha për KALLXO.com.

“Ne në Kosovë kemi pas përkrahë pjesëtarë në Koshare, njerëz nga Gjermania, Amerika, Anglia, Kroacia, Turqia por edhe vende të tjera, që janë edhe dëshmorë, pra ata kanë ardhur na kanë ndihmuar neve, sepse ne kemi luftuar për liri”, deklaroi ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ata nuk janë përgjigjur në telefon.

KALLXO.com ka kontaktuar me ish-ministrin e Mbrojtjes dhe ish-eprorin e UÇK-së, Anton Qunin si dhe Driton Selmanajn, por kanë qenë të paqasshëm.

Lufta në Ukrainë – NATO thotë se angazhimi në Kosovë nuk ka ndryshuar