Deputeti Rexhaj: Çdo mbledhje të komisioneve për siguri dhe inteligjencë, Lista Serbe i ka incizuar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka deklaruar se në çdo mbledhje e komisionit për siguri dhe ajo e inteligjencës, të cilat nganjëherë mbahen me dyer të mbyllura, pa prezencën e mediave, janë incizuar nga deputetët e Listës Serbe.

Rexhaj potencoi se deputetët serb e kanë pasur telefonin përpara dhe kanë incizuar.

“Në çdo mbledhje të komisionit sa herë kanë ardhë deputetët e Listës Serbe, sidomos këto të sigurisë dhe të inteligjencës, gjithmonë ato kanë qenë të incizuara, nga këta deputetë të Listës Serbe. Telefonin e ke pasur përpara, të gjitha kanë qenë të incizuara”- tha ai.

Rexhaj thotë se e kanë pasur parasysh që po incizohen dhe prandaj temat e diskutimit kanë qenë sipërfaqësore.

“Çka është më shqetësuese është që p.sh ne deputetët, unë jam në komisionin e sigurisë dhe të inteligjencës prej kohësh, gjithmonë e kemi pasë parasysh se po incizohemi dhe temat e diskutimit kanë qenë sipërfaqësore”- theksoi deputeti.