Mërgim Lushtaku: Vetëvendosje po e ndal ujin në Skënderaj për inate politike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Mërgim Lushtaku ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po ia ndalë ujin Skenderajit për inate politike, pasi nuk u votua propozimi i projektit për ujësjellësin Shipol-Brus-Mitrovicë.

Lushtaku tha se Vetëvendosja e ka ende hatërmbetje ndaj një rajoni për shkak që nuk ka marrë vota as në zgjedhjet qendrore as në lokale.

“Ju pe tregoni fytyrën e vërtet që jeni kundër Drenicës. T’jua rikujtoj që edhe aparati serb në krye me Millosheviqin kanë dashtë me na ndalë ujin dhe jetën me na marrë e s’kanë mujt, ujin kurrë nuk keni me mujt me na ndalë, veç fytyrën e juve të vërtetë e keni tregu. Ja keni ndal ujin Skënderajt vetëm për inate politike”, tha Lushtaku.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj i cili u shpreh se nuk mundet që të heshtë para kësaj gjuhe jo parlamentare e patronizuese të deputetit Lushtaku.

“Është e papranueshme thirrja dhe patronizimi i tij në emër të Drenicës. Në emër të një lloj patriotizmi, duke na nxjerrë neve naiv edhe duke na nxjerrë si ta themi dashakeq sepse atje nuk i paskemi fituar si Lëvizje Vetëvendosje. Besoj kjo çështje nuk qëndron fare, madje edhe si çështje nuk diskutohet si fenomen mënyra e të shtruarit në diskutim është gabim”, ka thënë Rexhaj.

Projekti i propozuar nga Lushtaku për ujësjellësin Shipol-Brus-Mitrovicë nuk mori votat e mjaftueshme në Kuvend.