Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i AKI-së i tha sot Komisionit Parlamentar se ka takim me kryeministrin Hoti

Gjatë ditës së sotme ka qenë e paraparë që Drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashi të raportoj sërish para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

I njëjti nuk është paraqitur në komision nën arsyetimin se ka takim me Kryeministrin Hoti, ndërkaq para pak minutave, Kryeministri Hoti njoftoi se ka kërkuar lirimin nga detyra të Shefit të Inteligjencës.

Anëtari i komisionit, Arbër Rexhaj për KALLXO.com ka thënë se mbledhja nuk është mbajtur.

“Gjatë ditës së sotme kemi kërkuar sërish takim me drejtorin e AKI-së, i njëjti kishte kërkuar 30 minuta paraprakisht mirëkuptim sepse kishte takim edhe me Kryeministrin. Ne e kemi mirëkuptuar mirëpo ajo çka po merret vesh tash, takimi paska qenë për lirimin e detyrës”, tha Rexhaj.

Ai shtoi se nuk ka pasur ndonjë sinjal apo tendencë të Gashit në mbledhjen e fundit, se i njëjti donte të dorëhiqej.

Zyra e Kryeministrit disa minuta më parë me anë të një njoftimi tha se Hoti ka kërkuar lirimin nga detyra të drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi.

Gashi javën e kaluar ka raportuar para komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, në lidhje me situatën e sigurisë në Kosovë por edhe në lidhje me kasafortën presidenciale që u bë tëme diskutimi për disa ditë.

Kjo pasi që zyra e u.d të Presidentes, Vjosa Osmani kishte raportuar në Prokurori Speciale se një person ishte prezantuar si hetues i AKI-së dhe i njëjti kishte tentuar të marrë disa dosje nga ana e kasafortës e cila gjendet në presidencë.

Kryeministri kërkon largimin e Drejtorit të AKI