Deputetët e Listës Serbe - Foto: REL

Deputetët e Listës Serbe: Ose të hiqet taksa 100% ose do të ketë probleme të mëdha

Deputetët e Listës Serbe që nga mëngjesi kanë shkuar në Kuvendin e Kosovës në shenjë proteste për taksën që Qeveria e Kosovës ka vënë për produktet e Serbisë dhe meqenëse komisioneri Johannes Hahn pritet të mbërrijë nesër në Prishtinë, ata kanë vendosur që në këtë mënyrë të iniciojnë një takim me të.

Deputeti i Listës Serbe, Sasha Millosavleviq, ka thënë se sot kanë vendosur të mbyllen në vendin e punës në mënyrë që në formë demokratike dhe të qetë ta iniciojnë takimin me komisionerin e BE-së Johannes Hahn.

“Duam t’ia transmetojmë brengosjen tonë të madhe për shkak të taksës që ka vënë Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë. Njëherësh t’i themi komisionerit Hahn se nëse kjo taksë e lartë nuk hiqet në një kohë të shkurtë do të kemi probleme shumë të mëdha, jo vetëm ne serbët e Kosovës por që të gjithë qytetarët e Kosovës do të ballafaqohen me mungesë të qumështit, ujit dhe ushqimit.”, ka thënë Millosavleviq.

Në mënyrë që situata të mos vijë deri te kjo, sipas këtij deputeti, kanë vendosur që të rrinë në Kuvend dhe ta presin takimin me komisionerin e Bashkimit Europian.

Deputeti tjetër Igor Simiq ka ftuar edhe kolegët shqiptarë që t’iu bashkohen në këtë protestë në mënyrë që të largohet taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Ata treguan se tashmë kanë dërguar kërkesë në zyrën e BE-së që nesër t’ua mundësojnë një takim me komisionarin europian.