Burg për ‘Tezen e Kokainës’

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka gjetur fajtorë dhe u ka shqiptuar dënime me burg dhe gjobë katër të akuzuarve në rastin e njohur si “Tezja e Kokainës.

Valentina Tufina është dënuar me 6.5 vjet burg dhe 7.000 euro gjobë, Veim Berisha me 6.5 vjet burg dhe 7.500 euro, Vebi Berisha me 3.5 vjet burg dhe 4.000 euro gjobë si dhe Alban Zena me 3.5 vjet burg dhe 4.000 euro gjobë.

Në vendim gjykata ka thënë se do t’i konfiskojë të gjitha sendet e luajtshme dhe të paluajtshme të propozuara me aktakuzë ndërsa dy të dënuarve Vebi Berisha dhe Alban Zena është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak.

Prokuroria Speciale akuzonte Valentina Tufinën dhe Veim e Vebi Berishën e Alban Zenën se gjatë muajit qershor të vitit 2014, në bashkëpunim me të pandehurit Reald Hysolli dhe Gëzim Çela nga Shqipëria, kanë blerë dhe poseduar kokainë për ta shitur.

Sipas aktakuzës, kokaina në sasi prej 7 kilogramësh ka ardhur në Kosovë nga Shqipëria, ndërsa është përpunuar nga Valentina Tufina në shtëpinë e Veim dhe Vebi Berishës nga fshati Rosuj i Komunës së Pejës.

Kjo sasi kokaine pastaj e ndarë në 14 pako është transportuar përsëri në Shqipëri nëpërmjet Reald Hysollit.

Për rastin e përpunimit të drogës në fshatin Rosuj të Pejës, “Drejtësia në Kosovë” shfaqi një emision në korrik të vitit të kaluar.