Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto Atdhe Mulla

Dënohet shoferi i furgonit për aksidentin ku kishte mbetur i vdekur një person

Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka dënuar me një vit e katër muaj burgim të akuzuarin Xhemajl Zeneli.

Zeneli akuzohet se kishte kryer veprën penale – rrezikim i trafikut publik lidhur me aksidentin në komunikacion në vitin 2014, ku kishte humbur jetën Nezir Xhafa.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë e akuzon Xhemajl Zenelin se në prill të vitit 2014 nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve duke drejtuar automjetin e udhëtarëve – furgon nga fshati Bajgorë në drejtim të Mitrovicës, saktësisht në hyrje të Tunelit të Parë, si pasojë e prishjes se sistemit të frenimit të automjetit.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se automjeti kishte qenë i ngarkuar më tepër se masa maksimale e lejuar dhe më tepër se mundësitë teknike të komunikacionit të mjetit.

Pas prishjes së frenave automjeti kishte marrë një shpejtësi shumë të madhe me ç‘rast pasagjerët që kishin qenë ulur në ulëset mbrapa kishin hapur derën dhe kishin kërcyer nga automjeti.

Së pari kishte kërcyer i dëmtuari Hakif Halimi, pastaj i ndjeri Nezir Xhafa e më pas i dëmtuari Berat Shkupolli, ndërsa pasagjerët që ishin në ulëset e para së bashku me vozitësin tentonin ta ndalonin automjetin i cili më pas kishte dalë nga rruga në anën e majtë dhe ishte ngjitur bjeshkës deri në goditjen e një peme kur edhe ishte ndalur.

Si pasojë e këtij aksidenti lëndime trupore kishin pësuar Berat Shkupolli, Hakif Halimi, Mehmet Rexhepi, Shyqri Gjikolli, kurse Nezir Xhafes i ishin shkaktuar lëndime të rënda trupore në kokë, qafë dhe fytyrë si pasojë e të cilave kishte vdekur në QKUK.

Me rastin e shpalljes se aktgjykimit gjyqtari Bekim Veliqi ka thënë se dënimin me burgim i akuzuari Zeneli do ta vuajë pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Gjithashtu i akuzuari Xhemajl Zeneli u obligua që në emër të shpenzimeve procedurale, të paguajë shumën prej 659 euro, kurse pala e dëmtuar kërkesën pasurore-juridike u udhëzua ta procedojë në kontest civil.

Paraprakisht në seancën gjyqësore është dhënë fjala përfundimtare nga ana e palëve në këtë rast.

Prokurori i rastit, Sahit Tmava, në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar që Gjykata të akuzuarin Zeneli ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, ngase sipas tij, gjatë shqyrtimit gjyqësor, konkretisht nga raportet policore të aksidentit, ekspertiza dhe super-ekspertiza e komunikacionit dhe shkresa tjera të lëndës është dëshmuar fajësia e tij.

Ndërkaq, lirim nga akuza për të akuzuarin Xhemajl Zeneli ka kërkuar mbrojtësi i tij, avokati Avdi Dinaj.

Avokati Dinaj në fjalën e tij përfundimtare tha se dëmtimi i frenimit në automjetin të cilin e ka drejtuar i akuzuari Zeneli sipas tij ka qenë jashtë fuqisë dhe veprimeve të të akuzuarit.

Dinaj shtoi se me rastin e prishjes së sistemit të frenimit bashkudhëtarët të cilët kanë hapur derën dhe kanë kërcyer nga automjeti “kombi”, në mesin e  tyre edhe i ndjeri Nezir Xhafa, këtë e kishin bërë me vetiniciativë dhe sipas tij pa kërkesën e të akuzuarit.

Ai në fund tha se ngarkesa me dru në automjetin e vozitësit, edhe sipas super-ekspertizës është konsideruar lëshim i ngasësit, duke cekur se kjo nuk ka pasur asnjë lidhje kauzale me pasojën e shkaktuar.

Fjala përfundimtare e avokatit Avdi Dinaj u mbështet nga i akuzuari Xhemajl Zeneli.

Zeneli ka shprehur keqardhje për atë që kishte ndodhur.