Çajniçe. Foto: Mario Iliçiq/BIRN

Dënohen serbët, vranë civilë e fëmijë

Gjykata shtetërore në Sarajevë ka shpallur Milosav, Marijan dhe Slavko Jovanoviq, të gjithë ish-anëtarë të Brigadës së Tretë Podrinjska të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, fajtorë për vrasjen e pesë civilëve boshnjakë, përfshirë dy fëmijë, në fshatin Medosheviç në komunën Çajniçë në qershor të vitit 1992.

Vendimi tha se në fillim të qershorit të vitit 1992, tre ushtarët shkuan në një stallë ku ishin fshehur katër anëtarë të familjes Malesheviq dhe dy fëmijë të moshës 11 dhe nëntë vjeçare.

Ushtarët i urdhëruan ata të dilnin nga stalla, i mbyllën dy fëmijët brenda një shtëpie dhe urdhëruan të tjerët të ecnin drejt një fushe pranë shtëpisë.

“Ndërsa anëtarët e familjes Malesheviq po ecnin në drejtim të fushës, ata i qëlluan. Kur njeri prej tyre arriti të arratisej, ata vranë dy civilë me armë zjarri, ndërsa një person vdiq për shkak se u qëllua në kraharor”, tha kryetari i trupit gjykues Halil Lagumxhija.

Milosav, Marijan dhe Slavko Jovanoviq më pas u kthyen përsëri në shtëpi dhe vranë dy fëmijët, të cilët ishin mbyllur brenda.

Më pas ata i vunë zjarrin shtëpisë.

“Ekipet e mbrojtëse u përpoqën të vërtetonin se të pandehurit ishin të angazhuar në një detyrë ushtarake në pikën e Medena Glavicës gjatë periudhës kohore kur ka ndodhur krimi dhe se vrasjen u kryen nga formacione paraushtarake. Gjykata nuk mund t’i pranonte këto copëza provash”, tha Lagumxhija.

Një tjetër i pandehur, Stevo Jovanoviq, u lirua nga një akuzë për të cilën akuzohej.

Ai u lirua nga akuza për vrasjen e një gruaje të quajtur Aishe Popoviq në fshatin Buçkoviçi.

Milosav, Marijan dhe Slavko Jovanoviq u liruan gjithashtu nga kjo pike e akuzës.

Vendimi mund të apelohet.