Mateshiq: Kroacia nuk bashkëpunoi me Bosnjë e Hercegovinën për hetimin e krimeve të luftës

Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, njëkohësisht udhëheqës i Departamentit special për krime të luftës, Ivan Mateshiq, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se kanë marrëdhënie të mira me shtetin serb sa i përket kësaj çështjeje.

“Shteti ka agjenci policore dhe bashkëpunojmë me Ministrinë e Punëve të Brendshme të entitetit të Republika Srpska që janë absolutisht profesionalë. Në atë aspekt, me të vërtetë nuk ekzistojnë vërejtje të atij lloji ose problemet e tjera brenda kufijve të Bosnjës dhe Hercegovinës” – ka thënë ai.

Ai ka ndarë përvojën e tij edhe me shtetin kroat për të cilin ka thënë se nuk ka bashkëpunim si me Serbinë.

“Eksperiencat e mia janë të mira. Unë, për shembull, para një viti e gjysmë, nuk mund të them me precizitet, kam arritur që ta siguroj prezencën e një të dyshuari përmes agjencisë policore të Kanadasë. Kur vjen fjala te Kroacia, aty ekziston një problem pak më i madh, pra një numër i madh i tyre gjendet atje…” – ka thënë tutje Mateshiq.

Ai ka shtuar se ka më shumë se 250 kërkesë-lutje për raste të ndryshme drejtuar shtetit kroat por që nuk kanë marrë përgjigje.

“Kërkesa që ata të na asistojnë, respektivisht të gjejnë identitetin e ndonjë personi, të na tregoni adresën aktuale të dikujt, ta marrin në pyetje një dëshmitar të caktuar, ta marrin në pyetje të dyshuarin e kështu me radhë. Pra këto kërkesë-lutje janë të ndryshme dhe me duhet të jem i sinqertë, edhe pse një kohë është rralluar, por kohëve të fundit, në vitin e fundit, kemi vënë re që edhe ky proces është duke ecur përpara” – përfundoi ai.

Ndryshe, lufta në Bosnjë e Hercegovinë nisi në vitin 1992 dhe përfundoi në vitin 1995.

Sipas një raporti të RDC, të publikuar në qershor të 2012-s, ishin gjithsej 101,040 të vdekur ose të zhdukur, nga të cilët 61.4 për qind ishin boshnjakë, 24.7 për qind ishin serbë, 8.3 për qind ishin kroatë dhe më pak se 1 për qind ishin të etnive të tjera, me 5 për qind të tjerë, përkatësia etnike e të cilëve nuk u deklarua.