Mateshiq: Rreth 60 prokurorë merren me krime të luftës në Bosnjë e Hercegovinë

Në vitin 2003 filloi punën Departamenti special për krime luftë në kuadër të Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Deri në vitin 2011 në këtë Prokurori kanë punuar prokurorë të huaj nga vendet e ndryshme të Evropës.

Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, njëkohësisht udhëheqës i Departamentit special për krime të luftës, Ivan Mateshiq, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur rreth përvojës së shtetit të tij në raport me krimet e luftës.

Ai ka thënë se pos Prokurorisë Speciale, e cila merret me krime të luftës, janë dhjetë prokurori kantonale si dhe prokuroritë e qarkut të Bosnjës dhe Hercegovinës në Republika Srpska, gjithashtu merren me lëndë të krimeve të luftës, por që janë më pak komplekse.

Mateshiq ka shtuar se janë afro 60 prokurorë që merren ekskluzivisht me lëndë të krimeve të luftës.

“Prokurorë për krime të luftës në Departamentin tim, në Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës janë njëzetedy. Për momentin jemi njëzetedy që ekskluzivisht merremi vetëm me krime të luftës. Ndërsa, në prokurori kantonale janë përafërsisht edhe aq. Pra, në total diku afro pesëdhjetë” – ka thënë Mateshiq.

Ai ka folur edhe për policët hetues që merren me krime lufte.

“Entiteti i Federatës përbëhet nga dhjetë kantone, ku çdo kanton ka agjencinë e vet të policisë, që i bie dhjetë polici, respektivisht dhjetë agjenci policore. Pastaj kemi administratën e Republika Srpskas, që tani i bie njëmbëdhjetë, pastaj në nivel shteti kemi katër agjenci policore. Afro 85 inspektorë, pra zyrtarë policorë merren ekskluzivisht me lëndë të krimeve të luftës, vetëm në atë agjencinë policore” – tha Mateshiq.

Ndryshe, lufta në Bosnjë e Hercegovinë nisi në vitin 1992 dhe përfundoi në vitin 1995.

Sipas një raporti të RDC, të publikuar në qershor të 2012-s, ishin gjithsej 101,040 të vdekur ose të zhdukur, nga të cilët 61.4 për qind ishin boshnjakë, 24.7 për qind ishin serbë, 8.3 për qind ishin kroatë dhe më pak se 1 për qind ishin të etnive të tjera, me 5 për qind të tjerë, përkatësia etnike e të cilëve nuk u deklarua.