Ilustrim

Krimet e luftës në Bosnjë: 25 vjet pas luftës, dënohet me burgim për dhunimin e një vajze

Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, njëkohësisht udhëheqës i Departamentit special për krime të luftës, Ivan Mateshiq ka rrëfyer rastin e parë të dënimit me 12 vjet burgim për një person i cili akuzohej për dhunim.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ai ka thënë se kishte parë një emision televiziv ku një vajzë rrëfente për dhunimin që i kishte ndodhur gjatë luftës, e të cilën nuk e kishte mbështetur familja e bashkëshorti.

Ai ka rrëfyer se ishte interesuar për këtë rast dhe kishte arritur ta gjente vajzën, duke e bindur që të dëshmonte.

“Ajo ka qenë e dhunuar shumëfish nga kryes të shumtë dhe duke punuar në atë rast kam ardhur edhe deri te disa vrasje që i ka kryer i njëjti person, i cili u procedua para gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Ai ka qenë një i mitur i rritur, pra në momentin e kryerjes së veprës ka qenë pak më i madh se 18-vjeç dhe u dënua me 12 vjet burgim” – rrëfen ai.

Ky rast ishte trajtuar 25 vjet pas luftës.

Ndryshe, lufta në Bosnjë e Hercegovinë nisi në vitin 1992 dhe përfundoi në vitin 1995.

Sipas një raporti të RDC, të publikuar në qershor të 2012-s, ishin gjithsej 101,040 të vdekur ose të zhdukur, nga të cilët 61.4 për qind ishin boshnjakë, 24.7 për qind ishin serbë, 8.3 për qind ishin kroatë dhe më pak se 1 për qind ishin të etnive të tjera, me 5 për qind të tjerë, përkatësia etnike e të cilëve nuk u deklarua.