Delawie Uron Veselin për Zgjedhjen Kryetar të PDK-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka marrë urime për zgjedhjen e tij në krye të PDK-së nga ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie.

Në një takim në kabinetin e Veselit, ambasadori Delawie ka premtuar mbështetjen e Qeverisë amerikane për Kosovën në të gjithë hapat e saj të zhvillimit dhe integrimeve evropiane.

“Në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian. Ambasadori Delawie me këtë rast theksoi se kjo është tregues i qartë se institucionet e Kosovës janë duke përmbushur përgjegjësitë e tyre karshi qytetarëve dhe obligimet që dalin nga procesi i integrimeve evropiane”, thuhet në komunikatën e dërguar nga zyra e kryetarit të Kuvendit.

Po ashtu, kryetari Veseli ka falënderuar ambasadorin Delawie për urimet e tij, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai si ambasador dhe Washingtoni i japin vendit tonë në të gjitha drejtimet.

Ndryshe, Veseli është zgjedhur kryetar i PDK-së të shtunën në konventën e VII të kësaj partie.

Në këtë pozitë, Veseli e zëvendëson Hashim Thaçin, i cili është zgjedhur president i vendit nga Kuvendi i Kosovës më 26 shkurt të këtij viti.

http://kallxo.com/konventa-qe-zgjedh-kryetarin/