Ambasadori amerikan, Greg Delawie - Foto: KALLXO.com

Delawie: Në fund të shtatorit përfundon mandati im në Kosovë

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se mandati i tij si ambasador në Kosovë do të përfundojë në fund të muajit shtator.

“Kohës sime në Kosovë po i vjen fundi. Plani për të përfunduar detyrën  si ambasador i SHBA-ve është në fund të shtatorit”, ka shkruar Delawie në llogarinë e tij në Twitter.

Ai po ashtu ka thënë se do të vazhdojë të punojë për sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal deri në ditën e largimit nga Prishtina.

Përndryshe, Philip S. Kosnett është emëruar si pasardhësi i Delawies në Kosovë.

Kosnett aktualisht është i ngarkuar i përkohshëm me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Ankara.

Gjatë karrierës së tij në shërbimin e jashtëm, ai ka punuar në tetë misione të Shteteve të Bashkuara në Europë, Azi dhe Lindjen e Mesme si dhe në pozita të larta drejtuese në Departamentin e Shtetit.

Pjesa më e madhe e karrierës së diplomatit Kosnett ka qenë e fokusuar në bashkëpunimin ndërkombëtar të sigurisë dhe pajtimin politik.

Ai ka shërbyer si zëvendësshef misioni në Uzbekistan dhe në Islandë si dhe në pozita politike, politiko-ushtarake dhe ekonomike-tregtare në Afganistan, Irak, Kosovë, Holandë dhe Japoni.