Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, Foto: Ambasada Amerikane

Ambasadori i ShBA-ve: Dënojmë djegien e veturave për shkak të ndryshimit të targave

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një postimi në Twitter ka dënuar aktet e djegies së veturave të qytetarëve serbë në Kosovë, për shkak të përdorimit të targave RKS.

“SHBA-të dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturave RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale. ½” – ka shkruar Hovenier.

Gjithashtu, Hovenier ka thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për ndalimin e përdorimit të targave ilegale të Serbisë.

“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim. 2/2” -ka shkruar Hovenier.

Policia e Kosovës ka njoftuar se një qytetari serb i është djegur vetura me targa RKS sot në orët e para të mëngjesit në Komunën e Zubin Potokut.

Policia e Kosovës njofton se informacionin për djegie e kishte pranuar përmes telefonit.

“Policia e Kosovës, me datën 02.11.2022, në orën 03.34 (pas mesnate) përmes linjës telefonike ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture të tipit Hyndai me targa RKS, pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, nga komuna e Zubin Potokut”- njofton Policia.

Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit 2023 automjetet me targa ilegale nuk do të lejohen të qarkullojnë në Kosovë.