Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie

Delawie: Kosova ta Tejkalojë Këtë Çështje Falso

Në një fjalë rasti në debatin për demarkacionin, ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, tha se pikëpamja e tij dhe e Qeverisë amerikane është se miratimi i Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare është i mirë për Kosovën dhe rajonin.

“Ne e mbështesim shënimin e vijës kufitare të përcaktuar nga Komisioni. Ndryshimet që disa po i kërkojnë do të kërkonin ndryshimin e Kosovës në flamur dhe hartë’, tha ambasadori.

”Dua të ju drejtohem atyre që rrejshëm pohojnë se Kosova i humb mbi 8,000 mijë hektarë dhe mendoj se përpjekja juaj është cinike”, shtoi Greg Delawie.

“Unë besoj që po e kundërshtoni këtë Marrëveshje në mënyrë cinike, po nxitni urrejtje ndaj të huajve dhe doni të përfitoni politikisht”, pohoi më tej diplomati amerikan.

“Në fund, nuk më bindin shqetësimit e ngritura se të drejtat dhe mirëqenia e banorëve të rajonit kufitar që i shfrytëzojnë këto toka si kullota ose për qëllime të tjera do të ndryshojnë. Kushdo që jeton atje, nxjerr bagëtinë ose shëtit në zonat malore, do të jetë po aq i lirë ta bëjë të njëjtën gjë edhe pas arritjes së kësaj Marrëveshje sikur kanë bërë deri tash”, tha Delawie.

“Kjo marrëveshje ndërmjet republikës së kosovës dhe fqinjit të saj miqësor Malit të Zi forcon stabilitetin në Ballkan dhe shtyn përpara integrimin evropian”, tha po ashtu ambasadori, duke shtuar se SHBA do të qëndrojnë prapa qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh a do të ratifikohet apo jo Marrëveshja në Kuvend.

Shtetet e Bashkuara janë të bindura se është shumë më mirë që Marrëveshja të kalojë se të dështojë, është më mirë për sovranitetin e Kosovës, për integrimin evropian, e cka është më e mirë për këtë shtet ta tejkalojë këtë çështje shumë të politizuar dhe falso dhe të përqendrohet në çështjet që janë me rëndësi për popullin e Kosovës, tha ai.

“Mund të ju them se ky shpenzim i kotë i kohës ka qenë zhgënjim i thellë për miqtë tuaj në SHBA dhe në vendet e tjera në botë“, theksoi ambasadori Delawie, duke kërkuar nga deputetët të votojnë me ndërgjegje dhe në paqe kur kjo çështje të shkojë në Kuvend.