DnK: Dekorimi i Gjykatësit që Toleroi Dhunë në Familje

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ka dekoruar me Çmimin për Drejtësi “Sali Çekaj”, gjyqtarin e Podujevës Minir Hoti, i cili ka toleruar dhunën në familje.

Emisioni i sontëm “Drejtësia në Kosovë” sjell detajet se si ky gjyqtar kishte ndarë drejtësi në dy raste për të akuzuarin Enver Zeka, i cili mbi 10 herë e kishte rrahur dhe maltretuar bashkëshorten e tij Hajrie Aliu.

Të gjeturat nga hulumtimi tregojnë se si kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, nuk është në dijeni se gjykatësi i tij është dekoruar me çmimin më të lartë për drejtësi që e jep Ministria e Drejtësisë.

Emisioni i sontëm, po ashtu sjell detaje se si Këshilli Gjyqësor i Kosovës e propozoi për ta dekoruar me çmimin “Sali Çekaj” një gjykatës i cili të akuzuarin me së paku gjashtë lëndë penale për dhunën në familje kishte shqiptuar dënim me kusht dhe vërejtje gjyqësore në të njëjtën ditë.

Poashtu, emisioni sjell fakte se deri ku kanë arritur hetimet e Zyrës së Prokurorit Disiplinor ndaj gjykatësit Minir Hoti, pas transmetimit të emisionit “Drejtësia e Stupcit” në nëntor të vitit të kaluar.

Detajet se kush e propozoi dhe si e dekoroi ministri Kuçi gjykatësin nga Podujeva me çmimin “Sali Çekaj, do mund t`i ndiqni sonte në RTK në emisionin “Drejtësia në Kosovë” në orën 21:20.