Podi i Gështenjave | Foto: KALLXO.com

Deçani Zhvendos Varrezën e Lopëve të Ngordhura

Autoritetet komunale të Deçanit kanë bërë të ditur së pas shqetësimeve të ngritura nga banorët në raportimin e KALLXO.com kanë vendosur të dislokojnë vendin e varrosjes së lopëve të ngordhura nga sëmundja gungore e lëkurës.

Kryesuesi i Shtabit Emergjent në Komunën e Deçanit Jashar Hulaj tha për KALLXO.com se lopët e ngordhura është vendosur të varrosen tjetërkund.

“Na menjëherë me të dëgjuar kritikat dhe shqetësimet e banorëve vendosëm që të bëjmë dislokimin e këtyre varrezave në një vend më adekuat, ku aty përafërsisht nuk graviton asnjë shtëpi, e asnjë njeri në asnjë kohë,” tha Hulaj.

Para dhjetë ditësh KALLXO.com raportoi për shqetësimin e banorëve pas varrosjes së 20 lopëve të ngordhura nga sëmundja gungore.

Banorët atëherë u shprehën të shqetësuar me varrosjen e lopëve në lagjen e tyre me vendim të autoriteteve komunale.

http://kallxo.com/banoret-te-shqetesuar-nga-varrosja-e-lopeve-te-ngordhura/

Hulaj tha se te “Podi i Gështenjave” ku lopët kanë qenë të varrosura nuk ka pasur ndonjë rrezik, mirëpo janë marrë masa sipas tij për shkak të shqetësimeve të ngritura nga banorët.

Hulaj tregoi se nga sëmundja gungore e lëkurës deri tash në Komunën e Deçanit kanë ngordhur 76 krerë lopë, të cilat njëkohësisht edhe janë varrosur.

“Janë afër 400 të sëmura (lopë), ndërsa 76 janë të ngordhura të cilat i kemi të evidentuara me numër të pronës, me numër të matrikulimit, me fotografi, me të gjitha, i kemi të identifikuara dhe të raportuara në AVUK,” tha ai për KALLXO.com

Intensiteti i ngordhjeve dhe sëmundjeve ditëve të fundit ka rënë dukshëm, sipas zyrtarit komunal, pasi që të gjitha lopët janë duke u vaksinuar kundër kësaj sëmundjeje.

Te “Podi i Gështenjave” përveç lopëve të varrosura më herët ka edhe shumë bërllok.