Pamje nga seanca e sotme në gjykimin e Xhavit Bicajt - Foto: KALLXO.com

Dauti: Askush Nuk Kishte Vërejtje për Testin për Drejtorë

Ish-drejtori për çështje akademike i Shërbimit Spitalor të Kosovës, Hilmi Dauti, dëshmoi sot në seancën gjyqësore në rastin e Xhavit Bicajt.

Dëshmitari Dauti ishte kryetar i komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve të pozitave të drejtorit të klinikave të QKUK-së, ndërsa i akuzuari një prej anëtarëve të këtij komisioni.

Sipas aktakuzës, Xhavit Bicaj akuzohet se u ka dërguar përmes email-it pyetjet me përgjigje të sakta dy prej kandidatëve të cilët iu kishin nënshtruar testit.

“Sipas mendimit tim ka qenë krejt në rregull dhe nuk kam vërejtë kurrfarë parregullsie. Kandidatët kanë qenë të pranishëm të gjithë, ua kemi shpërndarë testet dhe i kemi pyetur se a keni ndonjë vërejtje në shtjellimin e testit dhe askush nuk ka dhënë vërejtje. Aty ka qenë prezent edhe përfaqësuesi i sindikatës, ku i njëjti e ka shkruar në raport se nuk ka pasë vërejtje”, deklaroi Hilmi Dauti.

Sipas dëshmitarit në fjalë, menjëherë pasi që kishte dalë lajmi në media, prej nga edhe ishte njoftuar me këtë akuzë ndaj Bicajt, kanë vendosur për anulim të konkursit dhe Bicaj vullnetarisht ka dhënë dorëheqje të parevokueshme.

Në pyetjen e të akuzuarit Bicaj se a është e drejtë akuza e ngritur ndaj tij, dëshmitari Dauti e cilësoi këtë akuzë si fyerje personale dhe fyerje për institucionin.

“Ne njihemi prej vitit 1976 me Hilmi Dautin, ndërsa si profesor nga viti 1981. A konsideroni se kjo akuzë personalisht për mua është fyerje e inteligjencës sime dhe a konsideroni se unë e kam bërë një gjest të tillë?”, pyeti Bicaj.

“Është fyerje edhe e institucionit, sepse etika e mjekut dhe e profesorit janë shumë pika të ndishme dhe në cenimin e tyre len pasoja shumë të rënda për individin dhe institucionin”, u përgjigj Dauti.

Sipas aktakuzës, Bicaj akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke qenë anëtar i Komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit të njësive përkatëse, ua ka dërguar pyetjet me përgjigje të sakta dy prej kandidatëve, dr. Sonja Blakajt dhe dr. Ramë Miftarit. Me këtë, i akuzuari Bicaj ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

E ftuar në cilësinë e dëshmitares ishte edhe Emine Dishaj, e cila që nga viti 2000 kishte punuar si asistente e të akuzuarit Bicaj. E njëjta kishte aplikuar në pozitën për drejtor të Klinikës së Onkologjisë, mirëpo ishte refuzuar.

I akuzuari Bicaj lidhur me dëshmitaren Dishaj theksoi se nuk e përmbushte kushtin bazik për të konkurruar për drejtor.

“Si kusht bazik ka qenë përgatitja profesionale në fushën përkatëse. Me sa jam i njoftuar ju jeni radiologe-radioterapeute”, theksoi Bicaj.

Më tutje, dëshmitarja Dishaj deklaroi se nuk kishte dëgjuar që të dhënat për të cilat akuzohet Bicaj i kishte poseduar ndonjëri nga kandidatët.

Ankesa pati edhe avokati mbrojtës, Smajl Hyseni, i cili tha se provat e propozuara nga ana e prokurorit Feti Tunuzliu nuk mjaftojnë që të vërtetohet rasti konkret.

“Theksoj se në rastin konkret, fare nuk është lëshuar në vërtetimin e gjendjes faktike mbi bazën e asaj se a ka prova të mjaftueshme të vërtetohet rasti konkret. Kur e them këtë e kam parasysh se gjithmonë mendoj se për hir të drejtësisë duhet të vërtetohet me prova bindëse e jo të mirren vetëm shabllon nga deklaratat e gazetarëve”, tha Hyseni.

Po ashtu, avokati propozoi që të ftohet një ekspert i lëmisë përkatëse dhe të vërtetohet se a kanë dalë të dhënat konfidenciale nga kompjuteri i të akuzuarit Bicaj.

“Në cilësinë e ekspertit të kësaj lëmie të caktohet një person i cili e njef dhe të e vërteton gjendjen faktike se a kanë dalë nga kompjuteri i zotit Bicaj këto pyetje apo jo”, shtoi Hyseni.

Ndërsa, prokurori Tunuzliu tha se tendenca e kërkesës nga ana e avokatëve është zvarritja e procedurës.

“Unë këtë propozim e kundërshtoj si plotësisht të panevojshme dhe me qëllim të zvarritjes të kësaj procedure, për shkak se provat e vërtetojnë faktin në të cilin pretendon mbrojtja”, tha Tunuzliu.

Trupi gjykues ka mbetur të vendosë jashtë seancës lidhur me kërkesën për ekspertizë.

Vepra e pretenduar sipas aktakuzës ka ndodhur më 31 korrik dhe 3 gusht 2014.

http://kallxo.com/bicaj-e-quan-montim-rastin-ndaj-tij/

Redaktoi: Naser Sertolli