Dardan Molliqaj, VV. Foto: Kallxo.com

Dardan Molliqaj e Quan ‘Absurd’ Dënimin e Albin Kurtit

Ish- sekretari organizativ i Lëvizjes vetëvendosje, Dardan Molliqaj ka komentuar vendimin për dënimin me burg të Albin Kurtit, Faton Topallit, Albulena Haxhiut dhe Donika Kadaj- Bujupit.

Deputeti Molliqaj në një postim në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se dënimi është i padrejtë dhe absurd.

“Është i padrejtë sepse këta deputetë e mbrojtën Republikën pikërisht kur ajo rrezikohej përmes Zajednicës dhe Demarkacionit. Ndërsa, është absurd sepse vet Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Zajednica bie ndesh me dhjetëra nene të Kushtetutës sonë. Në anën tjetër, komisioni i ri shtetëror vërtetoi se marrëveshja për Demarkacionin ishte gabim”, ka shkruar Molliqaj.

Sipas tij në Kosovë po arrestohen dhe dënohen ata që po e mbrojnë Kosovën.

“Në vendin tonë sot po arrestohen e dënohen ata që e mbrojnë vendin, ndërsa po sillen të lirë ata të cilat çdo javë i shohim nëpër ballina të gazetave ndërkombëtare teksa flitet për krimin në Kosovë. Por kjo duhet dhe do të ndërroj shpejtë. Sepse Kosova duhet të zhvillohet e të ecë përpara pa krim e korrupsion”, ka shkruar më tutje Molliqaj.

Në lidhje me vendimin për dënimin me burg të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar edhe ish-kryetari i deridjeshëm Visar Ymeri dhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Gjykata e Prishtinës shpalli sot fajtorë dhe i dënoi me burgim me kusht katër deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Molliqaj, së fundmi, në një emision televiziv kritikoi publikisht disa qëndrime të Albin Kurtit, ish-kryetar dhe kandidat për kryetar i Vetëvendosjes.