Ivica Daçiq - Foto: REL/AP

Daçiq: ShBA ka ndryshuar qëndrim rreth Kosovës

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, vlerësoi sot se ka ndryshuar qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me çështjen e Kosovës.

Sipas Daçiqit, ShBA tani e lë të hapur mundësinë që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

“Kur them ka ndryshuar, e kam parasysh se ky qëndrim ka qenë se çështja e Kosovës është e përfunduar. Por tani ka ndryshuar me ardhjen e administratës së re. Nuk propozojnë zgjidhje por lënë të hapur mundësinë që në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dy palët dhe kjo fundja është e mjaftueshme që të hapen dyert për dialog”, citon agjencia serbe Beta të ketë thënë Ivica Daçiq.

Kryediplomati serb e bëri këtë koment pas një takimi me zëdhënësen e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zakharova.

Daçiq theksoi sërish se Serbia nuk mund ta njohë pavarësinë e shpallur njëanshëm nga Kosova dhe se gjetja e një zgjidhjeje kompromisi do të jetë tema e të gjitha takimeve në të ardhmen.

Sipas agjencisë Beta, Daçiq ka theksuar se lidhur me këtë edhe ai edhe presidenti serb, Aleksandar vuçiq kanë biseduar me zyrtarët rusë.

“Nuk do të bëjmë asgjë prapa shpinës së partnerit tonë strategjik dhe vendit që na jep mbështetje”, ka shtuar ai.