Ivica Daçiq - Foto: REL/AP

Daçiq e cilëson ‘drakonike’ taksën ndaj produkteve serbe

Në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, diskutimet janë fokusuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosje të taksës prej 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës në nëntor të vitit të kaluar.

Shefi i misionit në UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin, ka thënë në takimin e së enjtës se periudha e fundit nuk i ka kontribuuar përmirësimit të atmosferës sa i përket marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij, liderët e të dyja shteteve janë duke u përballur me sfida të shumta, dhe se ka pasur tentime për të destabilizuar situatën.

Ai ka vlerësuar se koalicioni qeveritar në Kosovë ka krijuar një situatë kritike në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, duke iu referuar kështu masës ndaj produkteve serbe.

Ai ka thënë se të dyja palët duhet të punojnë më shumë për t’i hapur rrugën arritjes së marrëveshjes në mes të të dyja shteteve.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e ka nisur fjalimin e tij duke thënë se të gjithë kanë dëshirë që çështja e Kosovës të mos jetë më pjesë e agjendës së këtij lloji të takimeve, mirëpo sipas tij koha për ta bërë një gjë të tillë nuk është as afër.

Ai ka thënë se vendimi për vendosje të taksës nga autoritetet e Kosovës në produktet serbe është dënuar nga mekanizmi ndërkombëtarë, përfshirë aleatët e Prishtinës.

Sipas tij, masa ndaj produkteve serbe, të cilën e ka cilësuar drakonike, ka pasur për qëllim të vështirësojë jetën e komunitetit serb në Kosovë.

Përveç tjerash ai ka thënë se thirrjet për bashkim të Mitrovicës kanë për qëllim dëbimin e serbëve nga ky qytet.

Përfaqësuesi serb në këtë takim ka përmendur edhe fillimin e punës së Gjykatës Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, duke thënë se Serbia pret që aktakuzat e para të bëhen publike shumë shpejt, për të gjykuar ato që ai i ka vlerësuar si “krime ndaj serbëve dhe personave tjerë që nuk kanë qenë shqiptarë”.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku ka thënë para fillimit të mbajtjes së takimit se mbledhjet e tilla të OKB-së janë “senaca koti”.

“Sot edhe një seancë koti. Pa rëndësi dhe pa asnjë nevojë. E neveritshme të shihet se si Këshilli i Sigurimit po shndërrohet në teatër ku i mundësohet Serbisë të përsërisë gënjeshtra në të cilat nuk beson as vet”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Facebook. (REL)