Çka bisedoi Flora Brovina me Kadri Veselin para se ta publikojë fotografinë? (VIDEO)

Dje, Kuvendi i Kosovës diskutoi gjatë në një seancë në Kuvendin e Kosovës për shqyrtimin e Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të Serbisë në Kosovë.

Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Flora Brovina, doli para mediave dhe publikoi një fotografi, sipas saj të një gruaje teksa dhunohej seksualisht nga forcat serbe.

Më pas, mediat online në Kosovë zbuluan se fotografia që prezantoi Brovina është e publikuar edhe në disa faqe interneti për të rritur.

E që fotografia që nuk është e ngjarjeve në Kosovë, sot e pranoi edhe vetë deputetja e PDK-së, Fora Brovina.

Ndërkohë, në pamjet nga seanca e djeshme, para se Brovina të dalë para mediave, një komunikim u pa të ketë zhvilluar me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Siç shihet në pamje, Brovina shkon te vendi i të parit të Kuvendit, ndërkohë aty shihet të afrohet edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu- Kodra.

Në pamjet teksa fjalën e kishte marrë deputeti i Kuvendit nga Vetëvendosje, Liburn Aliu, shuhet se Brovina ka në dorë dy letra, njërën në dorën e majtë e tjetrën në dorën e djathtë.

Pas këtij komunikimi, Brovina doli në korridorin e Kuvendit ku edhe shpalosi një fotografi që ishte e palosur.

Në deklarimin e sotëm para mediave, ajo thotë se kryetari i PDK-së nuk ishte në dijeni për atë publikim.

“Unë thash se ideja.. ai nuk e ka ditë rastin (fjala është për Kadri Veselin), unë kam pasur shumë dokumente me vete dhe duhet të zgjedhja se cili dokument do ta paraqiste më së miri gjenocidin serb”, tha ajo sot para mediave.

Ndërsa, edhe kryetari i Kuvendit, Kadri veseli ka thënë se nuk ka pasë dijeni që kjo fotografi do të prezantohet nga deputetja e tij Flora Brovina.

“Edhe për mua kanë qenë të papritura, edhe fotografitë edhe deklarimet. Nuk kam pasë fare dijeni”. Në momentin kur kemi filluar me seancë, kemi pasë një muhabet ku kam kërkuar që të mos vendoset fotografia e dikujt që mund ta lëndojë. Kjo ka qenë pjesa para se të dilte në publik”, ka thënë ai mbrëmë në Klan Kosova.

Veseli foli sot para mediave edhe për momentin e konsultimit me Brovinën.

E kam parë një njeri shumë të ngarkuar emocionalisht. Ka ardhur me një letër të zhubrosur të cilën e mbante me fanatizëm, i kam kërkuar me mirëkuptim të mos e lexojë. Kjo është arsyeja pse ndoshta ka ndodhur para se me ndodhë kjo. Nuk po tregohem i mençur se a e kam ditur, ndoshta kur e ka vendosur aty nuk e kam ditur se mund të jetë e tillë, por i kam thënë se është e rëndë”, tha Veseli.

“Do të ishte ma mirë të më kishte pyetur dy-tri orë ma herët ose edhe një ditë”, tha Veseli.