Organizatat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, kërkojnë përgjegjësi për skandalin e Flora Brovinës

Me moton “Më trajto dinjitetshëm”, në Prishtinë është mbajtur marshi protestues për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku u kërkua përgjegjësi nga institucionet, pas fotos së deputetes Flora Brovina në Kuvend.

Ky marsh është organizuar nga organizatat që merren me të drejtat e viktimave të luftës.

Mirlinda Sada nga organizata “Medica Gjakova”, në fjalimin e saj ka kërkuar rasti të hetohet nga prokuroria dhe të zbardhet e vërteta.

“Publikimi i fotos ka shkaktuar shumë dhimbje, ankth, mërzi e traumatizim për mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo ka bërë që puna jonë që nga paslufta për të trajtuar shëndetin fizik dhe mendor të mbijetuarve, të kthehet mbrapsht. Por ne duhet të ju kujtojmë juve politikanë të nderuar, se ne nuk do të ndalemi të përkrahim, mbrojmë, respektojmë dhe t’i trajtojmë me dinjitet heroinat tona, të cilat rezistuan në luftë. I bëjmë thirrje prokurorisë që sa më parë të zbardhin të vërtetën për skandalin e ndodhur disa ditë më parë”, ka thënë Sada.

Marshi u nis nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek ndërtesa e qeverisë, ku në rrethoja u vendosën pankarta me mesazhet e të mbijetuarve.

Të pranishëm në këtë marsh ishin edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell.