Kjo është pasuria e deputetes Flora Brovina

Deputetja e të gjitha legjislaturave të Kosovës, Flora Brovina që javëve të fundit u bë e njohur për publikimin e një fotografie të rreme ku pretendonte se aty shiheshin disa pjesëtare të Policisë dhe Ushtrisë serbe duke dhunuar një grua shqiptare gjatë kohës së luftës në Kosovë ka deklaruar se nuk ka asnjë cent para të gatshme.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, Flora Brovina ka deklaruar se nuk posedon asnjë para të gatshme.

Brovina ka deklaruar një banesë prej 120 metra katror që e posedon që nga vitit 1981. Ajo e ka vlerësuar këtë banesë me zero euro. Njëjtë qysh ka vepruar edhe kryetari i saj, Kadri Veseli.

Ajo ka deklaruar edhe një banesë tjetër 75 metra katror, të blerë në vitin 2011. Njëjtë si banesën tjetër, edhe këtë e ka vlerësuar me zero euro.

Paga vjetore e Brovinës si deputete e Kuvendit të Kosovës është 22 mijë e 712 euro. Mëditje vjetore, Brovina ka deklaruar se merr 1 mijë e 25 euro.

Ajo ka deklaruar edhe pensionin e moshës, që kap vlerën e 2 mijë 70 euro në vit.