Fotografitë e Flora Brovinës, Mevlude Saraqi intervistohet në polici

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Mevlyde Saraçi, do të padisë deputeten Flora Brovina për shkak se kjo e fundit ia përmendi emrin kur shfaqi një fotografi para mediave në Kuvendin e Kosovës.

Saraçi tha se gjatë ditës së djeshme është intervistuar nga Policia e Kosovës në cilësinë e dëshmitares dhe para hetuesve ka thënë që nuk e ia ka dhënë fotografinë Brovinës. Ajo po ashtu tha që asnjëherë nuk ka qenë nënkryetare e Komisionit për të Zhdukur, siç kishte thënë Flora Brovina.

“Dje jam intervistuar në polici në Prishtinë. Kam dhënë deklaratë me shkrim në cilësinë e dëshmitares se nuk kam lidhje me rastin. Nuk e kam pa atë fotografi derisa është shfaqur në Kuvendin e Kosovës nga zonja Brovina. Përmes mediave e kam pa, nuk kam qenë nënkryetare e Komisionit asnjëherë dhe nuk e njoh atë person në të cilin aludon ajo”, ka thënë Saraçi për KALLXO.com.

Saraçi e kishte mohuar se ia kishte dhënë Flora Brovinës foton edhe në ditën kur e publikoi ajo.

Ajo tha se së shpejti do ta padisë deputeten e PDK-së, Flora Brovina për shkak se ajo ia përmendi emrin disa herë në media.

“Po pres së shpejti me ngre kallëzim penal ndaj Flora Brovinës, jam duke i mbledhur dokumentet dhe do të ngris padi ndaj saj”, tha tutje ajo.

Ndryshe, Flora Brovina, deputete e PDK-së kishte shfaqur një fotografi ku shiheshin disa ushtarë teksa dhunonin një grua në prani të disa civilëve. Ndërkohë, mediat po atë ditë e zbuluan se ajo fotografi nuk kishte të bënte fare me pretendimet e deputetes.

Se fotografia është fals dhe nuk ka lidhje me luftën e fundit në Kosovë, e kishte pranuar edhe vetë Flora Brovina ditën kur u intervistua nga Policia e Kosovës.

https://kallxo.com/fotografia-qe-e-publikoi-flora-brovina-gjendet-e-publikuar-ne-faqe-te-huaja-online/

www.kallxo.com