Përfaqësuesja e Kosovës në futboll - Foto: Facebook

Challandes: Bëmë një lojë shumë të mirë

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, është deklaruar rreth lojës dhe rezultatit të ndeshjes së sontme miqësore me Shqipërinë, të zhvilluar në Zurich të Zvicrës.

Në një konferencë për media, Challandes tha se fitorja 3 me 0 përballë kombëtares së Shqipërisë është rezultat interesant, porse ky është vetëm fillimi.

“Sonte kanë luajtur mirë të gjithë lojtarët. Kemi bërë një lojë shumë të mirë, me shumë pasime. Jemi duke e formuar një ekip shumë të mirë”, theksoi përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës.

I pyetur nëse Kosova do të kualifikohet në kampionat europian, ai tha se nuk e kanë objektiv kualifikimin. “Objektivi ynë është që të luajmë mirë. Kualifikimi është thjesht rezultat i punës”, theksoi Challandes.

Kombëtarja e Kosovës mundi sonte atë të Shqipërisë me rezultat 3 me 0.

Dy golat e parë i shënoi Arbër Zeneli e të tretin Edon Zhegrova.

http://kallxo.com/kosova-me-nje-super-paraqitje-mund-shqiperine/

Pas lojës, golashënuesi i dyfishtë, Arbër Zeneli, tha se kanë luajtur goxha mirë si ekip. “Më duket që sot kemi bërë lojën më të mirë. Lojën e fituam si ekip”, tha ai.

Edhe golashënuesi tjetër, Edon Zhegrova, tha se ekipi ka bërë një ndeshje mjaft të mirë. “Të gjithë lojtarët kanë bërë maksimumin. Puna u shpërblye dhe fituam”, theksoi Zhegrova, duke shtuar se është i lumtur që iu dha mundësia të luante.

“Është ndjenjë e veçantë të luaj për shtetin tim dhe mundohem të luaj sa më mirë për shtetin e Kosovës. Këtë gol ia dedikoj gjithë njerëzve që më përkrahin, gjithë tifozëve, familjes sime”, shtoi ai.

Ndërsa, portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, tha se Kosovës i lejuan që të organizohet në ndeshje dhe të bëjë kundërsulme.

“I bëmë ca gabime dhe ata shënuan”, shtoi Berisha.

“Nuk më pëlqeu si u kundërpërgjigjëm, e kishim shumë vështirë ta kontrollonim mesin e fushës. Aty u bë diferenca.

Jemi në një fazë tranzicioni por nuk kemi edhe shumë kohë që të hyjmë në lojë. Kemi shumë mungesa dhe kjo është vërejtur sonte”, theksoi ai.