Ilustrim

Çaushi: Kryeministri injoroi rekomandimet e Kuvendit për mishin e prishur

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Driton Çaushi, i është kthyer edhe njëherë çështjes së mishit të prishur në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës muajin e kaluar ka miratuar disa rekomandime konkrete kur kërkonte trajtimin e kësaj situate emergjente, mirëpo sipas deputetit Çaushi këto rekomandime janë injoruar totalisht.

Sipas tij, kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e ka trajtuar asnjëherë para opinionit publik çështjen e mishit të prishur.

“Përveç se këto rekomandime janë injoruar totalisht nga Kryeministri Haradinaj, ai për tre muaj me radhë nuk e ka trajtuar para opinionit publik në as edhe një rast këtë çështje të rëndësisë vitale për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar deputeti Çaushi në profilin e tij në Facebook.

Edhe pse disa prej inspeksioneve komunale kanë konfiskuar mish të prishur, Çaushi thotë se gjendje është alarmante sa i përket sigurisë së shëndetit publik.

Ai ka kërkuar reagim të menjëhershëm, ani pse e sheh si të vonshëm.

Njëri nga rekomandimet e votuara në seancën e Kuvendit ka qenë që kryeministri Ramush Haradinaj të marrë masa adekuate ndaj përgjegjësve, bordit dhe menaxhmentit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë“ publikoi hulumtimin lidhur me skandalin e mishit.

Hulumtimi tregoi për operacionin e bastisjeve në fabrika  të mishit në Rahovec e Suharekë, ku u hasën probleme serioze dhe parregullsi, duke u nisur nga mishi pa afat, materialet për përpunimin të vendosura vende të papastra, helmet për minj dhe më e rënda minj të ngordhur në vendin ku ruhet dhe përpunohet mishi.