Burg e Gjobë për Grabitjen në Llapushnik

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Qamil Kastratin nga Kishnareka me 3 vjet burgim dhe 1.000 euro gjobë, pasi e ka gjetur fajtor për dy vepra penale: grabitje dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas trupit gjykues, të akuzuarit në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet qëndrimi në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Gjykata vendosi po ashtu që në emër të paushallit gjyqësor, i akuzuari të paguajë shumën prej 200 euro.

Kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit brenda 15 dite nga pranimi i këtij aktgjykimi.

Qamil Kastrati u shpall fajtor sot për shkak se më 2 gusht 2010, rreth orës 00:40, në fshatin Llapushnik, komuna e Drenasit, në vendin e quajtur “Boka”, në bashkëkryerje me një person të panjohur për organet e drejtësisë, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, duke përdorur dhunën dhe nën kërcënimin e pushkëve automatike e me maska në kokë, i ka grabitur të dëmtuarit Fatmir Sopa kuletën në të cilën gjendeshin 250 euro, një telefon “Nokia”, një patentë shofer zviceran, dy kartela të bankës dhe dy letërnjoftime.

I akuzuari, së bashku me personin e panjohur, paraprakisht e kishin bllokuar rrugën me gurë.

Në momentin kur kishte arritur në vendin e ngjarjes, i dëmtuari, bashkëshortja e tij dhe vajza e tyre, kishin ndalur veturën për shkak të barrierës dhe në këtë moment, nën kërcënimin e armës, atyre u janë grabitur gjërat e lartpërmendura.

Për këtë rast, KALLXO.com kishte raportuar edhe më parë.

http://kallxo.com/nuk-deshmon-ne-gjykimin-e-burrit/

 

http://kallxo.com/gjykim-per-grabitesin-e-te-kthyerve-nga-dasma/