Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Burg dhe Gjobë për Terrorizëm

Gjykata Themelore në Prishtinë u shqiptoi sot dënime me burg Kastriot Halimit e Dardan Kërqelit, ndërsa e gjobiti Hajrullah Aliun.

Të tre akuzoheshin për vepra që lidhen me terrorizmin.

Kastriot Halimi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg, ndërsa Dardan Kërqeli me 3 vjet e gjashtë muaj.

Gjykata Hajrullah Aliut ia shqiptoi gjobën prej 3 mijë e 500 eurosh.

Kastriot Halimi akuzohej për rekrutim në terrorizëm, ndërsa Dardan Kërqeli për lehtësim në kryerjen e kësaj veproje penale.

Hajrullah Aliu ngarkohej për moslajmërim të veprës penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Kastriot Halimi akuzohej se ka ndihmuar disa persona të shkojnë në Siri e t’i bashkohen organizatave ISIS dhe “Al-Nusra”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Halimi në shkurt të vitit 2015 i kishte dhënë një të mituri 50 euro për nxjerrjen e dokumenteve personale, pasaportës dhe pastaj edhe 250 euro për biletë të aeroplanit nga Prishtina për në Stamboll e pastaj deri në kufi me Sirinë.

Të tre të dënuarit e kishin pranuar fajësinë gjatë procesit gjyqësor.

KALLXO.com shkroi edhe për dënime tjera të të akuzuarve për rekrutim në terrorizëm.

http://kallxo.com/denim-per-terrorizem/

http://kallxo.com/denohet-zeqirja-qazimi/