Foto: FFK

Bunjaki: Ditë Historike për Futbollin

Përzgjedhësi i ekipit kombëtar të Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, e ka mirëpritur votimin e sotëm në Kongresin e UEFA-s në të cilin Kosova fitoi anëtarësimin në këtë organizatë.

Duke folur nga Budapesti ku u mbajt votimi, Bunjaki tha se tani puna duhet të fokusohet në teren, në përgatitje për garat e pritshme ndërkombëtare.

“Ishte një ditë me emocione, një fitore jo vetëm për Kosovën por për sportin në përgjithësi. Ka qenë një vendim shumë i rëndësishëm për sportin botëror dhe kjo më gëzon më së shumti”, tha Bunjaki.

Tash e tri vjet, ekipi kombëtar i Kosovës në futboll ka zhvilluar vetëm ndeshje miqësore, ndërsa votimi i sotëm i ka hapur rrugën e pjesëmarrjes në kualifikimet për kampionatin botëror të vitit 2018 që do të mbahet në Rusi.

Bunjaki e pranon sfidën.

“Puna ime tash është më e vështirë, por edhe më e lehtë… Jam shumë i lumtur që e përjetoj këtë ngjarje historike, jemi pranë një kampionati dhe kemi shumë punë. Gjendemi në një fazë shumë të ndjeshme”, tha ai.

Sipas Bunjakit, Kosova ka shumë talentë brenda e jashtë por fillimisht “duhet pasur durim”.

“Të zgjohemi nesër dhe t’i heqim pak emocionet, të shohim çka po ndodh”, tha ai.