UEFA dënoi Rumaninë pas skandalit në ndeshjen me Kosovën

Komisioni Disiplinor i UEFA-s ka vendosur sot për ndeshjen Rumani – Kosovë e luajtur më 12 shtator në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, e cila u ndërpre disa minuta pas thirrjeve raciste nga tifozët rumunë.

UEFA vendosi të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 52 mijë euro dhe ndeshja e radhës e organizuar në shtëpi do të luhet me dyer të mbyllura.

Akuzat që renduan rumunët ishin: Shfaqja dhe brohoritja e mesazheve politike, sjellja raciste e tifozëve, ndezja e fishekzjarrëve, hedhja e gjësendeve në tokë dhe bllokimi i zonave të aksesit publik.

Po ashtu, ndeshja e radhës e Rumanisë me Andorën e planifikuar për 15 tetor nga ora 21:45 do të luhet pa shikues., ka njoftuar Federata Rumune e Futbollit në faqen zyrtare.

Federata Rumune e Futbollit ka shtuar se hedh poshtë sjelljen e papërgjegjshme të grupit të shikuesve nga tribuna jugore që çoi në ndërprerjen e ndeshjes me Kosovën dhe ripërsërit parimin sipas të cilit qeveriset futbolli në Rumani, përkatësisht mosndërhyrja e politikës në sport.

Ndeshja e mbajtur me 12 shtator u ndërpre për rreth një orë pasi lojtarët e kombëtares së Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 19-të e ndeshjes, kur tifozët rumunë filluan të thërrisnin “Serbi, Serbi!’” që pasuan edhe me një pankartë ‘Kosova është Serbi’.

Rumania është një nga vendet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Kosova humbi dje ndeshjen ndaj Rumanisë me rezultat 2:0.

Sulmuesi Vedat Muriqi u ndëshkua me karton të kuq, pasi mori paraprakisht dy kartona të verdhë.