Armand Duka zgjidhet zëvendëspresident i UEFA-s
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, është zgjedhur zëvendëspresident i UEFA-s, duke u bërë i pari zyrtar shqiptar që merr një pozitë kaq të lartë të futbollit europian.
Sipas njoftimit të FSHF-së, vendimi u mor sot në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që ka zgjedhur Dukën me votim unanim.
“Një vendim që vjen natyrshëm duke parë kontributin e madh ndër vite të Presidentit të FSHF-së dhe eksperiencën e tij të vyer në menaxhimin e futbollit tashmë edhe në Europë” – thuhet në njoftimin e federatës shqiptare.
Disa muaj më parë, vetë Duka ishte zgjedhur për herë të dytë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
“Në këto zgjedhje Presidenti Duka arriti një rekord teksa u rendit në vendin e parë në bazë të votave, si më i votuari, duke u zgjedhur me 45 vota në total nga 55 të tilla dhe duke marrë kështu për herë të dytë besimin e delegatëve të shumë federatave të mëdha europiane” – thuhet tutje në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.