Bordi i AKP-së i reagon Isa Mustafës: U votuam edhe nga deputetët e LDK-së

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit është shprehur i befasuar me deklarimet e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa në lidhje me AKP-në dhe Bordin e që lidhen me shkarkimin e drejtorit menaxhues dhe më pas dorëheqjen e kryesuesit të Bordit.

Mustafa në reagimin e tij i kishte  cilësuar këta dy zyrtarë si ndër të paktët që nuk vodhën dhe nuk manipuluan.

“Janë mbushur mbi tre vite që Kosova është kursyer nga aferat dhe skandalet në AKP, nga vjedhjet dhe manipulimet. Prandaj ata që nuk vodhën dhe nuk manipuluan as për vete as për të tjerët u detyruan të largohen. Profesor Petrit Gashi, një prej ekonomistëve më të thellë dhe më të spikatur jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, i doktoruar në Britani të Madhe, i specializuar në shumë programe në SHBA, largohet, sepse nuk bashkëpunon me krimin”, shkroi Mustafa.

Me anë të një njoftimi për media, bordi i AKP-së tha se vendimet e tyre duhet të respektohen edhe nëse ‘nuk pëlqehen’.

“Kryetari i LDK-së, ish kryeministri Mustafa duhet ta ketë parasysh se është obligim ligjor që vendimet e Bordit të Drejtorëve të respektohen nga të gjithë, edhe atëherë kur vendimet për ndonjë arsye mund të mos pëlqehen, ashtu siç është detyrë e obligim i të gjithëve që të respektohet integriteti i anëtarëve të Bordit si të emëruarit e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Rikujtojmë se struktura aktuale e Bordit të Drejtorëve është votuar në Kuvendin e Kosovës edhe nga deputetët e partisë që udhëheqë z.Mustafa”, thuhet në njoftim.

Ata shtuan se “Vlerësimet selektive e subjektive për anëtarë të caktuar të Bordit në njërën anë e paragjykime për kinse veprime joligjore për anëtarë të tjerë të Bordit janë të pasakta, të dëmshme që lëndojnë rëndë imazhin e shtatë Drejtorëve të Bordit, të  Agjencisë si institucion e të qindra të punësuarve në AKP që punojnë me përkushtim e sakrificë në procesin ndër më të ndjeshmit për vendin tonë”

https://kallxo.com/isa-mustafa-kunder-largimit-te-drejtorit-dhe-kryetarit-te-bordit-te-akp-se/