Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së. I Foto: KALLXO.com

Blerand Stavileci Fton Qytetarët për Festë

Në një konferencë për gazetarë Blerand Stavileci zëdhënësi i PDK-së ftoi qytetarët për festë pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Ai e shpalli fitoren e PDK-së dhe partnerëve të saj.

“E para urime fitorja. Sot ishte një fitore e madhe për qytetarët e Kosovës dhe demokracinë tonë të dashur. Sot ishte një fitore për partnerët tonë”, tha Stavileci.

Ai më tutje falënderoi të gjithë ata që mundësuan procesin e sotëm zgjedhor.

“Falenderojmë forcat e sigurisë, vëzhguesit e zgjedhjeve partnerët tanë ndërkombëtarë që monitoruan zgjedhjet sot. Falenderojmë kryeministrin e ardhshëm Ramush Haradinajn. Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të mirëpresin fillimin e ri”, tha Stavileci.

Zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan sot, u caktuan pasi Kuvendi i Kosovës me një mocion mosbesimi rrëzoi qeverinë më 10 maj.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 11 qershorit patën 1 milion e 872 mijë e 941 votues në 889 qendra votimi.

Votues që kanë të drejtë vote për herë të parë ishin 118 mijë e 448 persona, ndërsa nga listat janë larguar 33 mijë e 542 persona të vdekur.

Zgjedhjet u monitoruan nga 30 mijë vëzhgues, 100 nga ta të BE-së.